Meksika shpall gjendje emergjente shëndetësore

31 mars 2020 | 10:24

Autoritetet meksikane e kanë shpallur gjendjen emergjente shëndetësore dhe kanë marrë masa më të rrepta për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Zyrtarët shëndetësorë i raportuan 101 raste të reja të infektimeve dhe tetë viktima për 24 orë, duke e çuar në 1 094 numrin e përgjithshëm të të infektuarve dhe në 28 numrin e përgjithshëm të viktimave. Ata paralajmëruan se sistemi shëndetësor mund të stërngarkohet me pacientë nëse nuk kontrollohet përhapja e virusit.

Në mesin e masave të reja për luftimin e koronavirusit përfshihen ndalimi i tubimeve me më shumë se 50 pjesëmarrës dhe zgjatja e ndalimit të aktiviteteve që nuk janë thelbësore për jetesë, shkruan “Reuters”. “Kjo vlen rreptësisht për njerëzit mbi moshën 60-vjeçare, për ata që kanë shtypje të lartë të gjakut, për diabetikët dhe shtatzënat, pavarësisht nëse këta njerëz kanë profesione jetike apo jo”, tha zëvendësministri i shëndetësisë, Hugo Lopez-Gatell.

Meksika është ndër shtetet me përqindjen më të lartë të popullsisë me mbipeshë dhe diabet, prandaj ekspertët kanë paralajmëruar se vendi është më i rrezikuar nga koronavirusi sesa që tregon mosha mesatare e popullsisë relativisht të re. Njoftimin për masat e reja e dha ministri i Jashtëm Marcelo Ebrard, i cili paralajmëroi se personat ose kompanitë që nuk i respektojnë rregullat do të përballen me ndëshkime administrative dhe penale. Gjendja emergjente shëndetësore do të mbetet në fuqi deri më 30 prill.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë 24 orëve të fundit në Francë kanë humbur jetën…