Melania: S’më intereson e shkuara e Donald-it
Melania Trump i hodhi poshtë spekulimet mbi situatën e rënduar të martesës së saj, duke treguar qartë se lidhjet jashtëmartesore të të shoqit as e shqetësojnë, e as janë në fokusin e saj, sepse ka gjera më të mira për të bërë.
Në një intervistë për televizionin amerikan ABC, Zonja e Parë e Amerikës u shpreh se fjalët që qarkullojnë në media nuk janë aspak të këndshme. E pyetur nëse e dashuronte bashkëshortin, ajo u përgjigj: Po, jemi shumë mirë.
Vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka mohuar lidhjet jashtë martese, ndërkohë që dy gra, ylli i filmave për të rritur Stormy Daniels dhe ish-modelja e Playboy-t Karen McDougal pretendojnë se kanë pasur marrëdhënie intime me të.
Melania u përpoq të tregonte se e do të shoqin dhe se mënyra sesi e pasqyron media lidhjen e tyre, nuk është gjithmonë korrekte. Unë e di çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo, u shpreh 48-vjeçarja.
Por nga ana tjetër, ndërkohë, ajo refuzoi të komentonte mbi pohimet e avokatit të bashkëshortit të vet, Rudi Xhuliani, i cili ka deklaruar publikisht se Melania i beson fjalëve të Trumpit dhe mohimit që i ka bërë ai lidhjes me Stormy Daniels. “Unë, me zotin Xhuliani nuk kam folur kurrë”, u shpreh Melania, e cila në pjesën e parë të intervistës theksoi se femrat që pretendojnë se janë abuzuar seksualisht, duhet të ofrojnë prova të forta.