Melinë
16 tetor 2020
| 16:59
KALTRINA BERISHA
Melinë
Mesdita ka nis me ardhë
me kujtimin e të qeshurës sate
Melinë!
Ajo vjen si breshkë
e ikën me shpejtësinë e dritës
me të vjen shiu
madje edhe acari nga veriu.
Dimri pat mbërri në verë atë vit
pat ardhë veç me i marrë sytë e tu
e toka me e përqafu trupin tand.
Vjeshta na i verboi sytë
e si urithë nisëm pelegrinin.
Aty ku pasioni bahet nji me buzëqeshjen
te prekja e parë, e ajrit me tokën.
Aty ku nji vdekatare zgjedh fatin e saj
përtej ligjeve e frymimit të kopesë,
aty fillon pelegrini.
Me të tan hovin
e gjakut të saj prandveror!