Meloni: Pakti me Shqipërinë të ndiqet edhe nga vendet jashtë BE-së
Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni, deklaruar në senat se marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët mund të zbatohet edhe nga shtetet e tjera jashtë Bashkimit Evropian.
Ajo ka falënderuar në veçanti kryeministrin Edi Rama për arritjen e kësaj marrëveshjeje.
“Dy qendrat në Shqipëri filluan të funksionojnë, jemi shumë të kënaqur. Kjo është një rrugë e re, e guximshme, që mund të ndiqet me vendet e tjera që janë jashtë Bashkimit Evropian. Falënderoj kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe gjithë qeverinë e tij për besimin”, ka thënë Meloni.
Meloni ka shpjeguar dhe arsyen e vonesës për hapjen e dy qendrave në Shqipëri, raporton “Tv Klan”.
“Ne morëm pak kohë për t’u siguruar që gjithçka të ishte bërë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatet e kësaj pune”, ka thënë Meloni.
Marrëveshja për emigrantët në mes të Shqipërisë dhe Italisë po shihet me interes nga shumë shtete të BE-së kundër fenomenit të emigracionit.
Ajo është nënshkruar në fund të vitit të kaluar mes dy qeverive.