Meloni takon presidentin e zgjedhur Trump në Mar-a-Lago

06 janar 2025 | 08:25

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni bëri një udhëtim të papritur në Florida për t’u takuar me presidentin e zgjedhur Donald Trump të shtunën në mbrëmje, në një përpjekje të një prej udhëheqësve kryesorë evropianë për të forcuar lidhjet me Trump para se ai të marrë detyrën më 20 janar.

Detaje nga bisedimet nuk janë bërë publike, por zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini tha të dielën se ato mbuluan një sërë çështjesh, përfshirë gjendjen e rëndë të Cecilia Salas, një gazetare italiane e arrestuar muajin e kaluar në Iran.

“Të lumtë Giorgia Meloni që takove Donald Trumpin për të folur për paqen, bashkëpunimin në industri dhe tregëti, sigurinë dhe lirimin e Cecilia Salas,” shkroi Salvini, kreu i partisë së koalicionit Liga.

Meloni u prit me duartrokitje në Mar-a-Lago, pas një prezantimi të saj nga presidenti i zgjedhur, sipas videove të shpërndara në mediat sociale nga gazetarët dhe të pranishëm të tjerë.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu me një grua fantastike, kryeministren e Italisë. Ajo vërtet ka triumfuar në Evropë,” tha Trump, sipas një njoftimi në media.

Meloni konsiderohet si një partnere e fortë e mundshme për Trump, duke pasur parasysh kredencialet e saj konservatore dhe stabilitetin e koalicionit të krahut të djathtë që ajo udhëheq në Itali që nga fundi i vitit 2022.

Kryeministrja Meloni ka krijuar gjithashtu një marrëdhënie të ngushtë me miliarderin Elon Musk, një aleat i ngushtë i Trump.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një valë dëbore, akulli, erërash dhe temperaturat në rënie krijuan…