Memli Krasniqi caktohet udhëheqës i shtabit zgjedhor të PDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit

25 dhjetor 2024 | 18:52

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi do të udhëheqë personalisht fushatën e PDK-së si udhëheqës i shtabit qendror zgjedhor të PDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Lideri i opozitës, Memli Krasniqi pasi ka vendosur ta kandidoj Bedri Hamzën për kryeministër, është vendosur në krye të gjithë procesit zgjedhor për t’i dhënë drejtim organizimit e mobilizimit të partisë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtitm

Ky vendim është marrë sot në Kryesinë e Partisë Demokratike të Kosovës, me qëllim të koordinimit të plotë të aktiviteteve elektorale në të gjithë vendin nga kreu i partisë.

Në pozitën e zëvendësshefes së shtabit u emërua sekretarja e përgjithshme, Vlora Çitaku.

Sipas njoftimit të PDK-së, diskutimet gjatë takimit të sotëm të Kryesisë u përqendruan në hartimin e planit të detajuar të aktiviteteve, përmes të cilave do të mobilizohen strukturat e partisë dhe do të dinamizohet angazhimi qytetar për zgjedhjet e ardhshme.

Nën sloganin “Kosova mundet më mirë”, Partia Demokratike e Kosovës beson thellë se përmes vizionit tonë qeverisës dhe punës konkrete për realizimin e tij, vendi ynë mund të arrijë më shumë në çdo drejtim.

Me kandidatin tonë për kryeministër, Bedri Hamzën, Partia Demokratike e Kosovës ofron një udhëheqës të dëshmuar, të përkushtuar dhe me program konkret për secilin qytetar.

Hamza është një personalitet i respektuar që gëzon besimin e qytetarëve, si lider që do të sjellë stabilitet, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.

PDK u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bashkohen rreth këtij vizioni të përbashkët dhe të japin mbështetjen e tyre për një qeverisje që reflekton nevojat dhe ambiciet e të gjithëve, pa dallim. Në këto zgjedhje, PDK nuk është thjesht një alternativë, por një zgjidhje që ofron rezultate konkrete për një të ardhme më të mirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hekuran Murati ka thënë se kushdo që dëshiron t’i refuzoi…