Memli Krasniqi: Kryeministri dhe Presidentja sfiduan rendin Kushtetues të Kosovës

10 dhjetor 2022 | 19:54

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se tentimi i Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti për t’u fshehur prapa konsensusit për t’i shtyer zgjedhjet, është një tjetër dëshmi e paaftësisë së tyre për t’i zbatuar obligimet kushtetuese dhe për të garantuar kushte e siguri për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.

Kreu i PDK-së ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Qeveria sot e pranoi se nuk është e aftë që të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të cilin e shkaktoi dhe e kërkoi edhe vet.

Lideri i opozitës tha se ky dorëzim i Qeverisë para bandave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës e dobëson shtetin, e vështirëson edhe më tej gjendjen atje dhe e sfidon tutje rendin kushtetues.

Deklarata e plotë e Memli Krasniqit:

Sot, i jemi përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentes Osmani për takim konsultativ, duke konsideruar se mbajtja e zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit, përveç obligim kushtetues, është edhe interes nacional.

Që nga shpallja e zgjedhjeve, e tëra që kemi kërkuar si PDK nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse ka qenë garantimi i sigurisë dhe kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike. Por, fatkeqësisht, sot kuptuam se qeveria ka dështuar në zbatimin e mandatit të saj për t’i krijuar këto kushte.

Përderisa për shpalljen e zgjedhjeve Presidentja përmbushi një obligim kushtetues, për shtyerjen e tyre ajo nuk ka një mandat të tillë. Konsensusi i kërkuar nga partitë politike sot nuk është obligim ligjor.

Tentimi i Presidentes dhe Kryeministrit për t’u fshehur prapa këtij konsensusi është një tjetër dëshmi e paaftësisë së tyre për t’i zbatuar obligimet kushtetuese dhe për të garantuar kushte e siguri për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.

Të vetëm, si PDK, pavarësisht qëndrimit tonë konsistent, ne nuk mund të imponojmë mbajtjen e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, sepse instrumentet e nevojshme dhe përgjegjësinë shtetërore për këtë e ka Qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Por, kjo Qeveri sot e pranoi se nuk është e aftë që të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të cilin e shkaktoi dhe e kërkoi edhe vet. Ky dorëzim i Qeverisë para bandave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës e dobëson shtetin, e vështirëson edhe më tej gjendjen atje dhe e sfidon tutje rendin kushtetues.

Instalimi i barrikadave sot në veri, në kohën kur po merrej vendimi për mosmbajtjen e zgjedhjeve, është dëshmi se kjo tërheqje e Qeverisë nga zbatimi i ligjit dhe kushtetutës e rrezikon edhe më shumë ushtrimin e sovranitetit të plotë në katër komunat e veriut. Qeveria duhet të jap përgjegjësi për këtë prapakthim dhe për dëmin që tashmë ia ka shkaktuar vendit më veprimet e veta të pamenduara.

Nëse kthehemi vetëm pak ditë prapa, kujtojmë se ishte pikërisht Kryeministri Kurti që nisi një zinxhir të veprimeve të pamatura dhe në kundërshtim me interesat e vendit dhe këshillat e aleatëve tanë kryesorë, SHBA-ve, të cilat si përfundim krijuan krizë institucionale e shtetërore atje. Ajo krizë, e cila vazhdoi të keqmenaxhohet, solli edhe zgjedhjet – për mbajtjen e të cilave Kryeministri dhe Qeveria tani u zbrapsën.

Në këtë situatë sfiduese, PDK kërkon nga të gjitha institucionet relevante shtetërore që të rrisin vëmendjen dhe angazhimet e tyre në lidhje me pjesën veriore të Kosovës, për të rikthyer normalitetin dhe për të garantuar sovranitetin në çdo cep të shtetit tonë.

https://www.facebook.com/100044662171388/posts/pfbid02ZXfgRrqARBXzGYyou7gn6rzUhrTFXFMpY3JNia44BsZ4ypMGxv5XbJPACMMLsEtpl/?sfnsn=mo&mibextid=6aamW6

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtari i Nismës, Zafir Berisha, ka bërë me dije se…