Memli Krasniqi kujton Triumf Rizën: Mungesa e tij është një plagë që nuk shërohet kurrë
Kryetari i PDK’së Memli Krasniqi, në 17-vjetorin e vdekjes së policit Triumf Riza, ka thënë se mungesa e tij është e përhershme dhe plagë që nuk shërohet.
Ndër të tjera, përmes një postimi në Facebook, Krasniqi për Triumf Rizën tha se ishte një forcë e natyrës me vullnet të hekurt, i vendosur për të bërë gjëra të mëdha në jetë.
“Triumfi i barti me krenari këto cilësi në karrierën e tij me Policinë e Kosovës, ku u bë një nga oficerët më të përkushtuar dhe më të aftë, duke luftuar pa u lodhur kundër krimit të organizuar. Por, më 30 gusht 2007, një ditë e paharruar përgjithmonë në kujtimet tona, Triumfi na u vodh në një akt frikacak dhe tinëzar, që shkatërroi jetë të shumta. Mungesa e tij është një plagë që nuk shërohet kurrë, veçanërisht për familjen e tij, e cila vazhdon të mbajë peshën e kësaj humbjeje. Drejtësia, fatkeqësisht, ende nuk ka sjellë përmbylljen që ne të gjithë e kërkojmë me insistim”, shkroi Krasniqi.