Memli Krasniqi kujton vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka përkujtuar vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe veprimtarin Kadri Zeka, në 40-vjetorin e vrasjes së tyre në në Untergrupenbach të Gjermanisë nga shërbimi sekret jugosllav.
Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, Krasniqi është shprehur se tre shqiptarë shembullorë që nuk u ndalën deri në flijim për Atdhe, ranë natën e 17 janarit, por me mijëra të tjerë u ngritën duke u frymëzuar nga ideali dhe veprimtaria e tyre.
“Shpirti çlirimtar shqiptar, që deri në atë kohë funksiononte në mënyrë të shpërndarë e në organizata të shumta ilegale, në dekadën pasuese u bashkua si asnjëherë më parë rreth një qëllimi– për Kosovën e Lirë. Ai shpirt më vonë themeloi UÇK-në, e cila u dha kuptim e rezultat sakrificave e angazhimeve të qindra e mijëra patriotëve që punuan për çlirimin e Kosovës nëpër dekada. Sot, të lirë dhe të ndërgjegjshëm për historinë, kujtojmë ata që dhanë gjithçka që kishin, përfshirë edhe jetën e tyre! Lavdi të përjetshme heronjve, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka!”, ka shkruar Krasniqi.