Memli Krasniqi: Letra e Gjeneralit Jashari shpërfaq gjendjen alarmante në ushtri, s’do të qëndrojmë duarkryq
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se letra e dërguar nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, rreth shqetësimeve për shërbimet ushqimore të ushtarëve shpërfaq “gjendje alarmante”.
Ai ka akuzuar Qeverinë se ka abstenuar nga obligimet që ka ndaj ushtrisë dhe tha se ushtrinë e do veç për fotografi e për propagandë.
“Letra e Gjeneralit Bashkim Jashari dërguar Ministrit të Mbrojtjes lidhur me shqetësimet e shumta që kanë të bëjnë me shërbimet ushqimore, mungesën e personelit dhe problemet sanitare, shpërfaq një gjendje alarmante në ushtrinë tonë e cila kërkon trajtim emergjent nga ana e shtetit. Fatkeqësisht, ajo që është e thirrur për ta trajtuar seriozisht këtë çështje, Qeveria, moti ka abstenuar nga obligimet e saj karshi ushtarëve tanë. Kjo Qeveri, për të disatën herë po e dëshmon se ushtrinë e do vetëm për propagandë dhe fotografi – e nuk i intereson aspak mirëqenia dhe shëndeti i vajzave dhe djemve që me përkushtim i shërbejnë ditë dhe natë atdheut”.
Ai tha se partia e tij do të kërkojë llogaridhënie të plotë nga Qeveria për këtë situatë.
“Partia Demokratike e Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq derisa ushtarët tanë po nëpërkëmbën në këtë mënyrë. Në Kuvend dhe në çdo instancë tjetër, do të kërkojmë transparencë dhe llogaridhënie të plotë nga qeveria”.
Ndërkaq, në fund pati edhe një thirrje për ushtarët.
“Për ushtarët tanë, të cilëve përmes keqmenaxhimit qeveritar po u cenohet morali dhe krenaria, kam vetëm një lutje: mos u dëshpëroni! Angazhimi juaj është boshti i shtetit tonë. Jemi bashkë në këtë sfidë!”.