Memli Krasniqi në Skenderaj: Drenica, zemra e Kosovës dhe PDK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar Komunën e Skenderajt, pas fitores së Fadil Nurës në garën për kryetar të kësaj komune.
Me këtë rast, Krasniqi ka thënë se Drenica ka qenë dhe është zemra e Kosovës dhe PDK.
“Drenica ka qenë dhe është zemra e Kosovës e PDK ka qenë dhe është në zemrën e Drenicës. Urime të gjithë qytetarëve të Skenderajt për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës! Shumë falënderues ndaj punës dhe përkushtimit të pashoq të të gjithë aktivistëve të partisë, të udhëhequr nga kryetari i degës, Sami Lushtaku, të cilët besuan dhe punuan për fitoren e kryetarit të ri të Komunës së Skënderajt, Fadil Nura”.
“Fadilit i uruam punë të mbarë në zhvillimin dhe transformimin e qytetit të lavdisë sonë kombëtare e historike. Respekt të thellë e të përhershëm për këtë komunë emblematike, e posaçërisht për Prekazin e familjes Jashari, vendin e lavdisë së përjetshme, që i dha kombit tonë sakrificën e pashembullt, mbi të cilën është ngritur për të qëndruar përgjithmonë liria dhe shteti ynë sovran e demokratik”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.