
Memli Krasniqi nis vizitën në Bruksel, kërkon heqjen e masave ndëshkuese
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, vizitën zyrtare në Bruksel e ka nisur me pjesëmarrjen në tryezën për Ballkanin Perëndimor, organizuar nga grupi politik liberal i Parlamentit Evropian, Renew Europe, ku ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje përfundimtare, me njohje reciproke në qendër.
“Paqja, siguria dhe stabiliteti rajonal janë interes i përbashkët i Kosovës dhe BE-së. Në këtë proces, është tejet e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare, me njohjen e ndërsjellë në qendër”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Përveç kësaj, kreu i PDK-së ka ritheksuar qëndrimin se BE-ja duhet të heqë sa më parë “masat e padrejta ndaj Kosovës”, të cilat ishin vendosur si pasojë e veprimeve të Qeverisë së Kosovës në Veri.
“PDK është mirënjohëse ndaj aleatëve ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj shtetit tonë”, shtoi.
Në këtë tryezë për Ballkanin Perëndimor, lideri i opozitës, siç vetë ka njoftuar, është takuar dhe ka diskutuar me Ilhan Kyuchyuk, Bashkë-presidentin e ALDE, Stephane Sejourne, President i Renew Europe dhe Janez Lenarçiç, Komisionerin Evropian për Menaxhimin e Krizave.
Krasniqi ka filluar vizitën e tij zyrtare në Bruksel të martën, ku do të ketë takime me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.
Kjo vizitë e liderit të opozitës në kryeqendrën evropiane, vjen pak ditë pasi që i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Krasniqit dhe liderëve të tjerë të opozitës në Kosovë ua prezantoi draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, tanimë i pranuar nga Kosova.