Memli Krasniqi: Për katër vjet, Kosova ka humbur mbi 210 mijë banorë

12 korrik 2024 | 16:56

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka reaguar pas publikimit të statistikave të regjistrimit të popullsisë, ku është konfirmuar në 4 vitet e fundit Kosova ka humbur mbi 210 mijë banorë.

“Pa u lëshuar këtu në saktësinë e shifrave të publikuara, është lajm i keq dhe shumë i dhembshëm që, duke u bazuar në publikimet zyrtare të ASK-së, po konfirmohet se vetëm në katër vitet e fundit, Kosova i ka humbur mbi 210 mijë banorë”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Duke u referuar në të dhënat e ASK-së dëshmohet se në vitin 2020 Kosova kishte 1,798,186 banorë. Ndërsa, sot, kjo Agjenci publikoi shifrën pikëlluese prej vetëm 1,586,659 banorëve rezidentë.

“Qytetarët, e veçmas rinia e Kosovës, po e braktistin vendin! Ose, thënë më mirë, qeveria i ka braktisur ata dhe ëndrrat e tyre. Ky lajm i gëzon vetëm ata që nuk ia duan të mirën vendit tonë. Kjo shifër kërkon veprime politike emergjente. Qytetarët tanë meritojnë më shumë dhe më mirë – pranë familjeve të tyre dhe në vendin e vet”, ka shkruar Krasniqi.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike…