Memli Krasniqi për ndarjen buxhetore të Qeverisë për komunat: Diskriminimi më i egër institucional ndaj qytetarëve në historinë e Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar në lidhje me ndarjen buxhetore për investime kapitale që ka bërë Qeveria, duke e quajtur hakmarrje, shantazh politik dhe diskriminim.
“Derisa për katër komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, Qeveria ka ndarë më shumë se gjysmën e buxhetit për investime të reja kapitale për vitin 2024, për katër komuna që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës – Ferizajn, Skënderajn, Kaçanikun e Hanin e Elezit, nuk është ndarë asnjë cent”, ka thënë Krasniqi.
Gjilani, Shtimja, Kamenica dhe Podujeva përbëjnë 11.6 % të popullsisë së Kosovës, ndërsa u është ndarë 59.5 % e buxhetit për investime të reja kapitale.
Ndërkaq, për të gjithë të tjerët, që janë 88.4 % e popullsisë, Qeveria ka ndarë vetëm 40.5 % të këtij buxheti.
“Ky është diskriminimi më i egër institucional ndaj qytetarëve në historinë e Kosovës, që prej çlirimit të vendit tonë.
Kultura politike në Kosovë ka nevojë të shtensionohet e të rritet bashkëpunimi, jo të instalohet kjo kulturë e hakmarrjes dhe diskriminimit”, ka thënë lideri i PDK-së.
Ai ka shtuar se kjo qasje e Qeverisë kundër qytetarëve të komunave të cilat nuk i drejton partia në pushtet është shantazh i ulët politik.
“Unë ftoj edhe deputetët e Vetëvendosjes, krahas atyre të opozitës, që me votën e tyre të mos e vulosin këtë propozim diskriminues të Qeverisë. Është e turpshme dhe e papranueshme të votohet për një buxhet të tillë”, ka përfunduar Krasniqi.
https://www.facebook.com/share/p/yuRP32Vf8xophGsg/?mibextid=9R9pXO