
Memli Krasniqi përkujton heronjtë e rënë në Junik
Heronjtë Bekim Berisha, Elton Zherka, Bedri Shala e Përmet Vula i ka përkujtuar sot në 24-vjetorin e rënies së tyre edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se,vepra e këtyre heronjve të kombit, do të jetë përherë e mbuluar me lavdinë e përjetshme të historisë së lirisë së Kosovës.
“Sot, me nderimet më të larta kujtojmë heroin Bekim Berisha-Abeja dhe bashkëluftëtarët e tij, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula, të cilët dhanë jetën më 10 gusht të vitit 1998 në Betejën e Junikut. Me përvojën e tij luftarake në Kroaci e Bosnje, ‘Abeja’ u shqua për kontributin e tij të madh në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin e atdheut. Vepra e këtyre heronjve të kombit, do të jetë përherë e mbuluar me lavdinë e përjetshme të historisë së lirisë së Kosovës!”, ka shkruar Krasniqi.