Memli Krasniqi po merr pjesë në Forumin e nivelit të lartë Diplomatik të Antalisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, po merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë (ADF), ku do të jenë prezentë përfaqësues nga 147 vende të botës nën temën “Ngritja e diplomacisë në mes të krizës”.
Këtë vit, në këtë forum do të marrin pjesë rreth 4.500 pjesëmarrës, duke përfshirë 19 krerë shtetesh, 73 ministra dhe 57 përfaqësues ndërkombëtarë.
Lideri i opozitës, Memli Krasniqi, është lideri i vetëm nga partitë politike nga Kosova i cili është ftuar dhe po merr pjesë në këtë forum ndërkombëtar.
Në këtë forum pjesëmarrëse është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryetari i PDK-së tashmë ka njoftuar për takimin e tij të parë në kuadër të këtij forumi me zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay, nga i cili ka kërkuar mbështetjen për njohje të reja dhe anëtarësim të Kosovës në NATO dhe Këshill të Evropës.
Ende nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosoje, Lidhja Demokratike e Kosovës apo Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për mospjesëmarrjen e liderëve të tyre në këtë Forum të nivelit të lartë.
Më shumë se 50 panele do të mbahen në forum nga 1 deri më 3 mars dhe do të shfaqen disa ekspozita. Forumi do të mbulojë tema të ndryshme si çështjet globale, diplomacia, siguria, kriza klimatike, migrimi, islamofobia, luftërat tregtare dhe inteligjenca artificiale.