Memli Krasniqi: Qeveria Kurti e lejoi Serbinë të ndërhyjë në sovranitetin e vendit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Qeveria Kurti në Bruksel nënshkroi marrëveshjen të cilën e quante të turpshme e të dëmshme sa ishte në opozitë.
Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës, tha se kjo marrëveshje është e njëjtë me atë të nënshkruar në vitin 2016 nga Isa Mustafa.
“I kemi vëzhguar me kujdes veprimet e kryeministrit dhe të qeverisë, para dy javësh kryeministri në seancën të Parlamentit me një pompozitet njoftoi se kishte marrë veprime për të cilat ne në një formë ose tjetër i dhamë të drejtë në kuptimin kushtetues dhe institucional, pra vendimin për reciprocitetin me Serbinë. Na i shfaqi në mënyrë pompoze edhe disa tabela se si do duken në mënyrë provuese dhe tha se këto tabela do të zgjasin, por ato tabela zgjatën vetëm dhjetë ditë dhe pas dhjetë ditësh ose më pak ai u tërhoq nga vendimi i cili ishte vendim sovran dhe i drejt për tu kthyer në marrëveshje të cilën Isa Mustafa e kishte nënshkruar në vitin 2016 dhe ajo marrëveshje ishte derivat i marrëveshjes së vitit 2011, të cilën Vetëvendosje e kishte quajtur të turpshme, të dëmshme edhe të gabuara”, tha Krasniqi.
Tutje Krasniqi tha se si PDK kanë qenë të bindur se vendosja e masës së reciprocitetit është vendim i drejtë, por se me marrëveshjen e nënshkruar gjatë javës së kaluar në Bruksel Qeveria e Kosovës e legjitimoi të drejtën e Serbisë për të ndërhyrë në sovranitetin e Kosovës.
“Problematike nga ajo që e kam dëgjuar kryeministrin duke e shpjeguar dhe vartësit e tij, është fakti se thotë se këto tabela që i lëshon Serbia për Kosovën mund të qarkullojnë në veri, por jo në jug, ky është problem edhe më i madh sepse realisht është koncept autonomist dhe diferencues për territorin tonë të Republikës së Kosovës për komunat veriore, pra nëse Qeveria e Kosovës e lejon një sistem të ndryshëm në veri dhe një tjetër në jug kjo është e barasvlefshme me një situatë që mund të sjellë vendosjen e hapave e parë të Asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive apo siç e ka quajtur dhe vazhdon ta quaj kryeministri tash më pak Zajednicë”, tha Krasniqi.