Memli Krasniqi, Qeverisë Kurti: Përmes ZRrE-së po u bini në qafë qytetarëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, gjë që sipas tij është duke e bërë të papërballueshme jetesën e qytetarëve të Kosovës.
Krasniqi nga foltorja e Kuvendit ka thënë se këtë agjendë, Qeveria e Kosovës e ka realizuar përmes Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, një instrumenti që ligjërisht është i pavarur e praktikisht është në shërbim të agjendës politike të Qeverisë Kurti.
“Dje, kjo zyre, nuk ndërmori një vendim të pavarur, por vulosi një vendim politik të propozuar në kurriz të qytetarëve nga mazhoranca e këtij Kuvendi. Nga deputetët e Vetëvendosjes dhe nga Ministrat e Vetëvendosjes. Nga shtrati i një partie dhe një kryeministri që erdhi në pushtet duke premtuar pikërisht, zbritjen e këtij çmimi. Zyre, e cila me vendimin e saj, doli të jetë jo veç mbi Kuvendin, por edhe mbi kushtetutën e mbi sovranitetin, që i ndau qytetarët e Kosovës në subjekte të pabarabarta, duke iu qitë haraç disave, për të mbuluar koston e disa të tjerëve”, ka thënë ai.
Lideri i PDK-së ka ritheksuar se përkundër paralajmërimeve drejtuar qeverisë për krizën, ajo e ka injoruar komplet atë dhe nuk ndërmori kurrfarë mase, duke pasuar me reduktime të ashpra dhe me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Kjo shpikje kaq praktike, nuk do të duhej t’i shpëtonte as Komitetit të Nobelit. Por megjithatë, në komunitetin e shkencëtarëve ekziston një shprehje, se mënyra më e sigurt për të fituar Nobelin është të punosh në laboratorin e dikujt që e ka fituar atë para teje. Fatkeqësisht, Albin Kurti, ndonëse ka pasur mjaft kohë të mësojë, nuk ka marrë mësim se si qeveriset një vend në mënyrë të stabile e pa ju ra në qafë qytetarëve. Debatin për atë se çka është dashtë të ndërmerret me kohë, e kemi shterur më herët dhe s’ka pasur efekt për qeverinë. Debatin për ta parandaluar këtë vendim që u ndërmor nga ZRrE-ja, qeveria përmes mazhorancës së vet, dje nuk e la as të shtrohet”, është shprehur Krasniqi.
Ai ka thënë se rritja e kostos së shërbimeve nuk është diçka që e pazakontë në kohë të caktuara, por ka disa parakushte që plotësohen në mënyrë që ajo kosto të mos e prishë balancin e jetesës, e jo duke i vënë qytetarët para aktit të kryer, të cilët faturën e muajt shkurt do ta paguajnë rreth 100 për qind më shtrenjtë.
“Dhe është krejt e pritshme që kur një qeveri që s’ka as vizion ekonomik, as strategji për zhvillim, as për punësim, as për rritje të pagës minimale e as asaj mesatare, e në vend të të gjitha këtyre ka veç një zgjidhje: rritjen e kostos së shërbimeve në kurriz të qytetarëve. Nuk ju jep tjetër zgjidhje qytetarëve, veçse me kërkua largimin nga ky vend. Siç u pa, vetëm në dy muajt e fundit, mbi 100 mijë të rinjtë e të reja kanë kërkuar shpëtim larg Kosovës, duke trokitur në dyert e ambasadave të huaja”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka njoftuar se Partia Demokratike e Kosovës do ta kundërshtojë rritjen e çmimit të energjisë me çdo mjet ligjor, në çdo instancë gjyqësore dhe do të kërkojë shkarkimin e anëtarëve të Bordit të ZRrE-së, të cilët kanë shkelë barazinë e qytetarëve dhe kushtetutën e sovranitetin e vendit, sepse kjo nuk është betejë politike, por obligim komunitar të cilit do t’i shkojnë deri në fund.