Memli Krasniqi: Qytetarët e Dragashit do ta vazhdojnë bashkëqeverisjen me Shabanin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar Komunën e Dragashit, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune dhe kandidatin e kësaj partie për të parin e Dragashit, Shaban Shabani, i cili nuk ka arritur t’i fitojë zgjedhjet në raundin e parë.
Me këtë rast, Krasniqi ka thënë se qytetarët e Dragashit do ta vazhdojnë bashkëqeverisjen me Shabanin.
“Qytetarët e Dragashit nuk kanë hamendje se kush është adresa e zhvillimit dhe këtë do ta dëshmojnë në raundin e dytë, duke mbështetur vazhdimin e mandatit të kryetarit Shaban Shabani, për zhvillimin dhe transformim e mëtejmë të kësaj komune. Shabani, jo vetëm që ka qenë kryetar transformues, por edhe bashkëqytetar i afërt e i përkushtuar për njerëzit e mrekullueshëm të Dragashit, me të cilët ka rrugëtuar së bashku në punët e mëdha që janë bërë e në mundësitë që janë hapur. Sot, ai ka më shumë se kurrë vullnet për të vazhduar misionin e tij për të hapur perspektivë të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Dragashit. Ai është i tyre dhe me ta, do të vazhdojë të bashkëqeverisë, për ta nxjerrë Dragashin në tjetër nivel”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.