Memli Krasniqi: S’ka si Bedri Hamza për Mitrovicën
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka zyrtarizuar kandidaturën e Bedri Hamzës për kryetar të komunës së Mitrovicës.
“Nga një qytet me rëndësi të veçantë siç është Mitrovica, dhe nga një vend i kujtimeve të mira siç është Ëmbëltorja Ballkan, jam shumë i lumtur ta shpërndaj një lajm po ashtu të veçantë, të mirë e të rëndësishëm që do t’i flladitë zemrat e qytetarëve të Mitrovicës. Bedri Hamza është Kandidati i PDK-së për Mitrovicën në zgjedhjet e tetorit”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”
Ai ka theksuar se një profesionist të lartë, një punëtor të madh, një njeri të urtë e të ndershëm si Bedri Hamzën do të donte ta kishte të vetin secila komunë. “Por, këtë fat e ka Mitrovica”, ka shkruar Krasniqi.
Lideri i PDK-së ka thënë se kandidatura e Hamzës është një fat i mirë dhe i rrallë, që me padurim do të përqafohet nga të gjithë qytetarët për t’i dhënë fund talljes së gjatë me qytetin e tyre, e për t’i dhënë seriozisht shans jetës që ata e meritojnë.
“Sepse, të gjithë pajtohen: S’ka si Bedri Hamza!”, ka shkruar Krasniqi.