Memli Krasniqi takohet me Riho Terras, kërkon që BE-ja të reagojë ndaj sulmeve të Serbisë karshi Kosovës
Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kreu i kësaj partie priti në takim raportuesin e sapoemëruar për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Sipas Krasniqit, ata diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe BE-së, si dhe për vizionin e përbashkët për të ardhmen evropiane të Kosovës.
“Në takim theksova përkushtimin e palëkundur të Partisë Demokratike të Kosovës për të avancuar integrimin e Kosovës në BE, një mision që mbetet në thelb të agjendës sonë politike. Nga raportuesi Terras kërkova që të avokoj për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj shtetit tonë, pasojat e të cilave po i vuajnë qytetarët tanë”, ka shkruar ndër të tjera kreu i PDK-së.
Ai shton se gjithashtu nënvizoi nevojën urgjente që Bashkimi Evropian të reagojë ndaj sulmeve të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës dhe sovranitetit.
“Provokimet e vazhdueshme nuk duhet të kalojnë pa përgjigje, pasi rrezikojnë stabilitetin në rajon dhe minojnë përpjekjet tona për një të ardhme më paqësore dhe më të mirë. Raportuesin Terras e falënderova për përkushtimin e tij në këtë rol të rëndësishëm dhe pres me padurim bashkëpunimin tonë të mëtejshëm”, ka shkruar Krasniqi.