Krasniqi takon përfaqësuesit e Sindikatës së “Ferronikelit”, flasin për gjendjen e vështirë pas ndërprerjes së prodhimit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, bashkë me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci kanë zhvilluar takim me Sindikatën e Pavarur të Punëtorëve të kompanisë “Ferronikeli”.
Në këtë takim, të mbajtur në Drenas, përfaqësuesit e kësaj sindikate shprehën shqetësimin për ndërprerjen e plotë të prodhimit të këtij gjiganti metalurgjik, si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë dhe neglizhencës së Qeverisë për t’u përballur me këtë krizë energjetike, gjë që i ka vënë në situatë të pasigurisë rreth 1 000 punëtorë të punësuar aty dhe rreth 1 500 punëtorë tjerë të punësuar indirekt.
Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me neglizhencën e qeverisë ndaj kësaj çështjeje dhe paaftësisë së saj për të vepruar shpejtë, që reflektoi me ndërprerjen e punës së “Ferronikelit”.
“Mijëra punëtorë të ‘Ferronikelit’, janë në pritje të gjetjes së zgjidhjes sa më të shpejtë për rifillimin e punës së fabrikës. Është përgjegjësi e Qeverise që te gjej zgjidhje për punëtorët qe varen nga puna e ‘Ferronikelit’”, ka thënë Krasniqi.
Në takim, përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të kompanisë “Ferronikeli” kanë kërkuar nga PDK-ja, si lidere e opozitës, që çështja e tyre të trajtohet edhe në nivelin qendror.
Ndërsa Krasniqi ka thënë se PDK-ja do ta trajtojë këtë çështje si interes i veçantë, jo vetëm për punëtorët, por edhe përkrahjen e veprimtarisë prodhuese, për eksportuesin më të madh të Republikës së Kosovës.
“E vlerësuam lartë veprimin sindikal, në mbrojtjen e interesit të punëtorëve, në situatën e rëndë si kjo, ku kërkohet zgjidhje sa më e shpejtë për rifillimin e punës së ‘Ferronikelit’, përkundër sjelljes së papërgjegjshme të Qeverisë edhe ndaj shkresave dhe kërkesave të tyre”, është shprehur Krasniqi.
Ai ka thënë se tash e sa ditë kanë alarmuar për ngritjen e çmimeve të energjisë në bursat ndërkombëtare, por qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë plan për te siguruar furnizim te pandërprerë me energji elektrike, veçanërisht gjate sezonit te dimrit.