
Memli Krasniqi uron Agim Aliun: Kryetar model i qeverisjes lokale të PDK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar kryetarin e Ferizajt nga kjo parti, Agim Aliu, i cili të martën është zgjedhur në krye të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Po ashtu, Krasniqi ka uruar edhe kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili është zgjedhur anëtar i bordit të AKK-së.
“Kryetari model i qeverisjes lokale të PDK-së, Agim Aliu, është zgjedhur sot kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ndërsa, po ashtu, kryetari i kryeqytetit tonë kulturor e historik, Shaqir Totaj, u zgjodh anëtar i bordit të kësaj organizate. Agimin dhe Shaqirin, si dhe të gjithë anëtarët e tjerë të bordit te AKK-së, i uroj për marrjen e përgjegjësive të reja, i bindur se do të bëjnë punë të mira në përfaqësimin e interesave të komunave të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.