Memli Krasniqi viziton disa familje për festën e krishtlindjes: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut

25 dhjetor 2023 | 20:43

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar sot në festën e krishtlindjes disa familje shqiptare të besimit të krishterë ku është mirëpritur për të festuar së bashku.

Kreu i PDK-së ka bërë të ditur se ka qëndruar tek familjet e Edi Markut në Dardani, Rrok Lulit në Dujakë dhe Anton Nikollbibajt në Brekoc të Gjakovës, si dhe të Pjetër Përlazrit në Velezhë dhe Mario Palucës në Trepeticë të Prizrenit.

“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut – e posaçërisht gjatë festave! Ngrohtësia e vatrave të zjarrit, dritat vezulluese që zbukuronin pemët e dekoruara bukur dhe meloditë e ëmbla të këngëve tona që kumbonin nëpër çdo shtëpi ku isha sot mysafir, i bënë vizitat e mia me rastin e Krishtlindjes vërtetë magjike”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i PDK-së u ka shprehur mirënjohje secilës familje që hapi sot dyert dhe zemrat e tyre për ta mirëpritur në këtë festë të veçantë.

“Bujaria, mikpritja dhe miqësia juaj më kanë lumturuar shumë, andaj ju jam shumë mirënjohës për kujtimet e bukura që krijuam së bashku. Fryma e kësaj feste le të vazhdojë të shkëlqejë në jetën tuaj, duke përhapur përgjithmonë vetëm dashuri, paqe dhe mbarësi! Për shumë mot Krishtlindjen!”, tha Krasniqi.

https://www.facebook.com/share/WssmgY7bGBEk2sxt/?mibextid=K8Wfd2

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për herë të parë, pjetarët e FSK-së, nuk do të…