Memorandum për fuqizimin e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë në sektorin privat
Oda e Infermierëve Mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë të Kosovës (OIK) dhe Asociacioni i Spitaleve Private të Kosovës (ASPKS) kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi.
Memorandumi është nënshkruar nga kryetarja e OIK-ut, Nexhmije Gori dhe kryetari i ASPKS-it, Armend Agani.
Ky memorandum ka për qëllim krijimin e një bashkëpunimi në mes të OIK-ut dhe ASPKS-it për të zhvilluar një mekanizëm koordinues, në shkëmbim të informatave rreth të punësuarve, anëtarë të OIK-ut, dhe aktiviteteve profesionale që synojnë zhvillimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.
Po ashtu, memorandumi ka për qëllim përkrahjen e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor në rritjen e cilësisë së punës së tyre në institucionet private shëndetësore.
Qëllim i memorandumit mbetet gjithashtu bashkëpunimi në përmirësimin e politikave dhe procedurave për ngritjen e kapaciteteve profesionale të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor, dhe përfaqësimi dinjitoz i interesave të tyre brenda institucioneve private shëndetësore.
Oda si edhe Asociacioni i spitaleve private kanë marrë për obligim që të angazhohen në mbrojtjen dhe fuqizimin e pozicionit të infermierëve, mamive dhe profesionisteve tjerë shëndetësor brenda sektorit privat shëndetësor, duke promovuar standardet më të larta etike, mbështetje përmes edukimit të vazhdueshëm profesional dhe praktikës profesionale sipas legjislacionit ne fuqi.
ASPKS-ja do të sigurojë mbështetje institucionale për implementimin e reformave dhe praktikave më të mira që lidhen me shërbimet e infermierëve, mamive dhe profesionisteve tjerë shëndetësor në institucionet private shëndetësore.