![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/08/mm-1.jpg)
Memorial për vëllëzerit Bytyqi në Prishtinë, Haradinaj përkrah inciativën e deputetëve të AAK-së
Deputetët e AAK-së, Daut Haradinaj dhe Gazmend Syla, kanë marrë iniciativën për të ngritur një memorial për nder të vëllezërve Bytyqi, të cilët ishin vrarë nga forcat serbe pasi ishin arrestuar.
Për këtë dy deputetët kanë marrë mbështetjen edhe të ministres nga partia e tyre, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila ka thënë se të rinjtë lanë Amerikën për të rënë për vendin e tyre të lindjes.
“E përshëndes iniciativën e deputetëve Daut Haradinaj dhe Gazmend Syla për ngritjen e lapidarit në nderim të vëllezërve Bytyqi në Prishtinë. Djemtë e Batalionit ‘Atlantiku’, janë ata që lanë Amerikën për ta përqafuar vdekjen për atdhe. Gjurmët e krenarisë tonë, UÇK-së, do të mbesin trashëgimi dinjiteti e nderi për brezat që do lëmë pas. Përmes lapidarit të vëllezërve Bytyqi dhe obeliskut ‘Heroinat’, zëri i Prishtinës do jehojë larg në kërkim të drejtësisë së munguar nga Serbia, derisa ajo të vendoset!”, ka thënë ajo.
Ndërsa deputeti Syla më herët ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se ndihet i nderuar mundësinë e dhënë që t’i nderojë vëllezërit Bytyqi.
“Ndjehem i nderuar dhe i privilegjuar për mundësinë e dhënë nga gjenerali Daut Haradinaj dhe bashkëluftëtarët, që të marrë iniciativën për ngritjen e memorialit për vëllezërit Bytyqi në qendër të Prishtinës. Po ashtu pas komunikimit me familjarët e Heronjve, shpreha gatishmërinë e koordinimit me ta në të gjitha detajet e këtij projekti kombëtar”, ka shkruar ai.