Menaxheri i Mustafit: Shkodrani në bisedime me Barçën
Qendërmbrojtësi shqiptar Shkodran Mustafi pritet t’i bashkohet Barcelonës në janar, pasi menaxheri i tij Emre Ozturk dhe drejtuesit e gjigantit katalonas janë në bisedime për këtë çështje.
Fituesi i Kupës së Botës 2014 me Gjermaninë ende nuk e ka luajtur asnjë ndeshje si titullar nën udhëheqjen e trajnerit Mikel Arteta këtë sezon dhe duket i gatshëm për t’u larguar nga “Emirates”.
Për më tepër, marrëveshja e Mustafit me Arsenalin mbaron në fund të sezonit. Mësohet se Mustafi e ka hedhur poshtë ofertën e Arsenalit për ta vazhduar marrëveshjen dhe mund t’i bashkohet Barcelonës së Ronald Koeman, e cila është në kërkim urgjent të përforcimeve në mbrojtje.
“Nuk jam në Barcelonë për Yusuf Demirin, por për Shkodran Mustafin e Arsenalit, të cilin e përfaqësojmë ne”, ka thënë Ozturk.