Menaxhimi i Parkut Kombëtar të Vjosës, plani do të sjellë disa kufizime në bujqësi dhe turizëm
Plani i menaxhimit të Parkut Kombëtar të Vjosës ka hyrë tashmë në fazën e dytë ku po mbahen dëgjesa publike me banorë të luginës që laget nga Vjosa dhe degët e saj tashmë të mbrojtura.
Ekspertët janë duke tërhequr vëmendjen për një seri çështjesh me impakt për komunitetin si dhe janë duke hulumtuar për zgjidhje të qëndrueshme mbrojtjeje dhe zhvillimi të parkut të vetëm lumor në Evropë.
“Do të jemi gjatë gjithë luginës së Vjosës, për të parë potencialin turistik, për të parë shqetësimet ose kërkesat e komuniteteve që jetojnë përgjatë luginës së Vjosës dhe se si ata mund të përfitojnë nga Parku Kombëtar”, ka thënë Besjana Guri e Ecoalbania.
Takimet po sjellin në vëmendje rezultatet e planit të fizibilitetit për shtratin dhe katër prej degët Bënçën, Drinon, Kardhiqin dhe Shushicën si dhe opinionin e ekspertëve sa i takon kufijve të parkut në fazën e parë të mbrojtjes.
Plani i menaxhimit që po krijohet në funksion të zhvillimit synon lehtësi për aktivitetet në natyrë, rekreacionin dhe turizmin e qëndrueshëm. Plani do të sjellë disa kufizime për bujqësinë sidomos sa i përket përdorimit të pesticideve por përfitimet sipas ekspertëve do të jenë shumë më të mëdha se humbjet.
“Jemi duke marrë dëgjesat publike me komunitetin, me bashkinë, me grupet e interesit dhe operatorët turistit të Vjosës dhe duke bashkuar idetë e tyre dhe tonat do të hartohet plani për lumin”, ka thënë Gligor Dushi, drejtor i Zonave të Mbrojtura.
Andrej Sovinc, koordinator për planin beson se ky është një lumë unik për Shqipërinë, Evropën dhe botën, sepse është një nga lumenjtë e fundit që rrjedhin të lirë në këtë pjesë të botës. “Kur flasim për plane zhvillimi kemi parasysh avantazhet për zhvillim të një lumi me cilësi fantastike kombinuar me resurse të tjera të zonës siç është trashëgimia kulturore dhe Gjirokastra e mbrojtur nga UNESCO. Sigurisht në aspektin e përfitimeve për komunitetin do të ketë plane të detajuara shoqëruar me përmirësime në infrastrukturë, nxitje të ecoturizmit. Sigurisht do të ketë edhe aktivitete të ndaluara por përfitimet prej parkut janë gjithnjë më të mëdha”, ka thënë Sovinc.
Qeveria e Shqipërisë e ka shpallur Park Kombëtar, lumin Vjosa, që është lumi i fundit i egër në Evropë.
Shpallja e lumit Vjosa Park Kombëtar nënkupton se nuk do të lejohet asnjë ndërtim që cenon luimin, përfshirë këtu edhe hidrocentralet që kanë shkaktuar debat në madh në Shqipëri, por kanë sjellë edhe reagimin e disa organizatave ndërkombëtare.
Lumi Vjosa, i gjatë 270 kilometra, rrjedh nga shpatet e mbuluara me pyje të maleve të Pindit të Greqisë deri në bregdetin Adriatik të Shqipërisë.
Shkencëtarët thonë se ekosistemi i Vjosës është habitati për 1.100 specie, 13 prej të cilave janë në rrezik të madh të zhdukjes.
Vjosa gjithashtu ka vlerë ekologjike, kulturore dhe ekonomike për 60.000 shqiptarët që jetojnë në brigjet e saj.
Shpallja e Vjosës “Park Kombëtar” ka qenë një nga fitoret më të mëdha të shoqërisë civile në Shqipëri.
Vjosa lumi i fundit i egër i Evropës falë aktivizmit u bë pjesë e një lobimi të madh edhe në nivel ndërkombëtar fushatë që përfshiu edhe organizata të tilla si River Watch apo personalitete në zë të kulturës dhe artit.