Menaxhmenti i ri i KRM “Pastrimi” anulon vendimet joligjore të menaxhmentit të shkarkuar
Në kuadër të rivendosjes së rregullit, transparencës dhe menaxhimit të mirë të Kompanisë, Menaxhmenti i ri i KRM “Pastrimi” SH.A. ka marrë së fundmi një numër të veprimeve, për të anuluar disa vendime të cilat kanë cenuar funksionimin e mirë të kompanisë.
Pas shkarkimit të menaxhmentit të vjetër, si pasojë e keqmenaxhimit, edhe gjendja financiare e kompanisë është shumë e vështirë – çka e konfirmojnë edhe raportet e fundit të auditorit dhe atij financiar.
Rrjedhimisht, nevoja për ndërmarrjen e masave të cilat ndihmojnë në rikthimin e stabilitetit të kompanisë ka qenë të domosdoshme.
Me këtë rast, menaxhmeti i ri i Kompanisë, i emëruar nga bordi i drejtorëve me datë 08.07.2022, pasi ka evidentuar shumë parregullsi dhe shkelje të shumta brenda ndërmarrjes, ka marrë masa emergjente krahas me legjislacionin në fuqi.
Menaxhmenti ka vendosur për:
- Anulimin e Konkursit Publik me Nr. 2180, i datës 13.6.2022, i publikuar në gazetën “Bota Sot” nga KRM “Pastrimi” SH.A, sepse i njëjti është shpallur në kundërshtim me dispozitat ligiore në fuqi.
- Shfuqizimi i të gjitha vendimeve të mëparshme përmes të cilave u është lejuar veturave jozyrtare furnizimi me naftë.
- Formimi i komisionit për Verifikimin dhe identifikimin e mjeteve të Kompanisë (përfshirë Njësitë Operative) që gjenden jashtë Autoparkut për servisim dhe për të njëjtat të përgatitet raport i detajuar ne nje periudhë të afërt kohore.
- Formimi i komisionit për verifikimin dhe evidentimin në aspekt kuantitativ i të gjithë Kontejnerëve nëpër pika grumbulluese.
Të gjitha këto masa, të marra në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, janë vetëm fillimi i veprimeve konkrete për përmirësimin e gjendjes së rënduar në kompaninë “Pastrimit”.
Rrjedhimisht, përkushtimi për të vendosur rend, rregull, transparencë dhe menaxhim të mirë, do të jetë i pandalshëm dhe i pa kompromis.