“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN”
Selatin Novosella
Adem Demaçi, ndër personalitetet më me fat në historinë më të re të Kosovës
Adem Demaçi, duke qenë i lindur në kohën e Aleksandër Karagjorgjeviqit, në vitin 1936; duke filluar veprimtarinë atdhetare-politike në kohën e Aleksandër Rankoviqit, në vitin 1958; duke arritur kulmin e veprimtarisë në kohën e Josip Broz Titos, si kryetar i Organizatës Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, në vitin 1964; dhe duke përjetuar çlirimin e Kosovës, si përfaqësues i përgjithshëm politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kohën e Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1999, është ndër personalitetet më me fat në historinë më të re të Kosovës
Në vend të hyrjes
Me Adem Demaçin jam takuar për herë të parë në vjeshtën e vitit 1963 në një orë letrare në Shkollën Normale të Prishtinës. Atë e prezantoi Zeqir Gërvalla, miku i Adem Demaçit dhe kryetar i grupit letrar “Migjeni”. Pra, po bëhen më shumë se gjysmë shekulli që, në vazhdimësi isha dhe jam pranë Bacës Adem. Kështu, në vitin 1964, isha anëtar i organizatës atdhetare të formuar dhe të udhëhequr nga ai “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”.
Prej vitit 1969 deri në vitin 1973, isha së bashku, në burgun e Pozharevcit, ku Baca po e vuante dënimin e dytë 15-vjeçar. Pastaj, në vitin 1975, jam dënuar në gjykimin e tretë të Bacës së bashku edhe me dëshmorët Rexhep Mala, Isa Kastrati dhe 15 veprimtarë të tjerë. Edhe gjatë viteve të ‘90-ta të shekullit që lamë pas, gjatë aktiviteteve në subjektet politike të asaj kohe, kishim angazhime të përbashkëta. Ndërsa, pas çlirimit të Kosovës, në vitin 1999, me Adem Demaçin jam përditë bashkë! Çka të thotë kjo? Kjo, thënë shkurtazi, nënkupton se nga ky vit grumbulloj, sistemoj, analizoj çdo libër, revistë, gazetë, dokument, faksimil, fotografi dhe poezi që bënë fjalë për jetën dhe veprën e Adem Demaçit. Kështu, gjatë këtyre viteve, në arkivin tim kam sistemuar mbi 10.000 faqe me dokumente gjyqësore nga tri gjykimet e Bacës (1958, 1964, 1975), programet politike, dorëshkrimet, intervistat, fjalimet, analizat, opinionet, polemikat dhe reagimet e tij.
Nga ky material, deri tashti, kam botuar librat kushtuar jetës dhe veprës së Bacës: “Adem Demaçi në gjykimin e parë -1958”, “Adem Demaçi në gjykimin e dytë – 1964”, “Adem Demaçi në gjykimin e tretë -1975”, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve – sipas dokumenteve arkivore”, “Demaçi – Metaforë lirie” (libër me mendime dhe vlerësime të rreth 100 personaliteteve të ndryshme për Adem Demaçin), “Demaçi – Aromë atdheu” (libër me 80 poezi të poetëve të ndryshëm kushtuar Adem Demaçit) dhe “Viti i Adem Demaçit” (botuar me rastin e shënimit të 80-vjetorit të lindjes së Demaçit).
Duke e njohur nga afër rrugën e jashtëzakonshme jetësore të Bacës, nga njëra anë, duke e pasur parasysh tërë bagazhin e madh të shkrimeve të Bacës, nga ana e dytë dhe, nga ana e tretë, duke e pasur parasysh krejt atë që është thënë për Bacën, kam vendosur që, me këtë shkrim, të prezantoj një pjesë të mendimeve dhe vlerësimeve të 200 personaliteteve për Bacën.
Për Adem Demaçin kanë shprehur mendimet e tyre presidentë, kryeministra, kryeparlamentarë, kryetarë komunash, historianë, diplomatë, ministra, rektorë universitetesh, ushtarakë, akademikë, shkrimtarë, poetë, kritikë letrarë, analistë, publicistë, bashkëveprimtarë, bashkëvuajtës etj.
Për Adem Demaçin nuk kanë folur vetëm personalitetet e shquara shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare por edhe amerikanë, anglezë, suedezë, francezë, belgë, gjermanë, bullgarë, serbë, kroatë, sllovenë, boshnjakë etj.
Autorë të panumërt që kanë shkruar për Adem Demaçin kanë zgjedhur fjalët më të bukura, krahasimet më të fuqishme, epitetet më domethënëse dhe metaforat monumentale për të.
Për Adem Demaçin thuhet se është: simbol i bashkimit, simbol i lirisë, simbol i qëndresës, simbol i guximit, simbol i vetëflijimit, simbol i sakrificës, simbol i durimit, simbol i fitores, simbol i besimit, simbol i ngadhënjimit, simbol i shpresës, simbol i krenarisë, simbol i shpëtimit etj.
Për Adem Demaçin, po ashtu, thuhet se është: legjendë e gjallë, hero i gjallë, aromë atdheu, metaforë lirie, strateg i rrallë, vizionar largpamës, projektues lirie, frymëzues brezash, krenari kombëtare, nderi i kombit, bashkues brezash, humanist i madh, i panënshtruari i durueshëm, figurë unike kombëtare, martir i kombit, histori e gjallë, ideator i Lëvizjes Kombëtare, udhërrëfyes lirie, artikulues i ëndrrave të shqiptarëve, personalitet i pazëvendësueshëm, sfidues i madh, korife, ylli polar, idol i brezave, zë i ndërgjegjes kombëtare, flamurtar i Lëvizjes Kombëtare, inspirues i ideve çlirimtare, emër që flet vet, vullkan i pashuar, feniksi shqiptar, përmendore e gjallë, burrë me palcë Shqipërie, figurë e spikatur, burrë legjendar, libër i hapur, luftëtar i pathyeshëm, i burgosuri numër një në Jugosllavi, zë i fuqishëm i UÇK-së, pajtues i rrymave politike, udhëheqës shpirtëror, flamurtar në beteja, emblemë kombëtare, titan i pathyeshëm, ikonë e nacionalizmit, zë i guximit, zë i shpresës, zë i forcës, zë i sakrificës etj.
Duke e krahasuar Adem Demaçin me personalitetet e rralla historike, autorë të ndryshëm atë e quajnë: Anteu shqiptar, Zeusi shqiptar, Krishti shqiptar, Prometheu shqiptar, Mesia shqiptar, Drjafusi shqiptar, Mendela shqiptar, Marathonamaku shqiptar etj.
Kritikë dhe studiues të letërsisë thanë për Adem Demaçin se ai është: autor i spikatur, letrar i harmonisë shqiptare dhe njerëzore, krijues kulminant në letërsi, rast unik në letërsinë shqipe, model i tregimtarit modern, shkrimtar i terrorizuar, shkrimtar i dalluar i zhanrit romanesk, mjeshtër i rrallë i artit letrar, fenomen i rrallë në letërsi, autor i mesazheve të drejtpërdrejta etj.
Ndonëse ky libër mbanë nëntitullin “Mendime të zgjedhura për Adem Demaçi”, megjithatë, këtu do prezantohen edhe disa mendime, qëndrime, vlerësime dhe analiza të Adem Demaçit për ngjarje dhe procese të veçanta që janë zhvilluar në Kosovë dhe rreth saj. Duke i prezantuar këto vlerësime të Adem Demaçit, besoj se portreti i tij të prezantohet më i plotë.
Përkitazi me renditjen e këtyre mendime të zgjedhura për Adem Demaçin, gjatë tërë kohës së grumbullimit të tyre, që ka zgjatur me vite të tëra, kam pasur dilemat se si të radhiten ato? Herë-herë mendoja që ato të radhiten sipas rëndësisë së personaliteteve që i kanë shprehur ato mendime; herë-herë mendoja që radhitja të bëhet sipas kohës kur janë thënë ato mendime; herë-herë mendoja që të radhiten sipas tematikës që përfshihet në ato mendime (siç janë tematika politike, kombëtare, letrare, publicistike, humanitare, filozofike, etike etj.). Megjithatë, në fund, vendosa që mendimet të prezantohen sipas abc-së.
Fillimisht e kisha konceptuar këtë shkrim si libër ku do të prezantoheshin vetëm mendimet e të tjerëve për Adem Demaçin. I bindur se të gjitha këto mendime dhe vlerësime për Demaçin nuk do të mund ta paraqesin në plotëni figurën unike të tij, vendosa që t’i prezantoj edhe disa mendime të Demaçit për ngjarje dhe procese politike si dhe për disa personalitete të shquara.
Në fund të librit do të prezantohen edhe shpërblimet, çmimet, dekoratat, mirënjohjet dhe falënderimet e ndara për Adem Demaçin nga institucione të ndryshme shtetërore, qeveritare, shkencore, kulturore, të shoqatave joqeveritare, komunave të ndryshme etj. Të gjitha këto do të prezantohen kronologjikisht e jo sipas rëndësisë dhe peshës që kanë këto shpërblime për Demaçin.
Po të shprehesha me fjalorin e piktorit do të thosha se, duke i grumbulluar në një vend këto mendime të zgjedhura për Demaçin, kam synuar ta japim, të gjithë së bashku, portretin e Demaçit duke e plotësuar secili, veç e veç, nga një katror të mozaikut të portretit të tij.
Ndërsa, po të shprehesha me fjalorin e kompozitorit, do të thosha se me këto mendime kam synuar që ta këndojmë një këngë polifonike, secili me zërin e tij, një këngë të veçantë që do të mund t’i kushtohej vetëm njeriut të rrallë, atdhetarit unikat, humanistit shembullor, shkrimtarit të njohur, Heroit të Kosovës dhe Nderit të Kombit – Adem Demaçit.Nëse kam arritur, qoftë edhe pjesërisht, që ta bëjë një punë të tillë, tepër të vogël, do të ndihesha mirë. (Vijon)