Mendja e shitur është mendje e prishur
Nga: George Orwell
Përktheu: Sazana Çapriqi
Letërsia është një përpjekje që të ndikojë në pikëvështrimet e bashkëkohësve, duke i regjistruar përvojat. Sa i përket lirisë së shprehjes, nuk ka dallim ndërmjet atij që është veç gazetar dhe shkrimtarit me imagjinatë më “apolitike”. Gazetari nuk është i lirë dhe ai është i vetëdijshëm për këtë fakt, kur detyrohet të shkruajë rrena apo detyrohet t’i fshehë ato, që i duken lajme të rëndësishme; shkrimtari imagjinativ nuk është i lirë kur i duhet të falsifikojë ndjenjat e veta subjektive që, nga këndvështrimi i tij, janë fakte. Ai mund ta shtrembërojë e ta karikaturojë realitetin, me qëllim që ta bëjë mendimin e tij më të qartë, por nuk mundet ta interpretojë shtrembër pamjen e mendjes së tij.
Problemi nuk zgjidhet as atëherë, kur shkrimtari u shmanget termave të kundërta. Nuk ekziston diçka e atillë si letërsi krejtësisht apolitike dhe, më së paku, në një kohë si kjo jona, kur frika, urrejtja e besnikëria e llojit të drejtpërdrejtë politik, janë aq afër sipërfaqes së vetëdijes së çdo njeriu. Qoftë dhe një tabù e vetme mund të ketë efekt cungues mbi mendjen, sepse ekziston rreziku i përhershëm që rrjedha e çdo mendimi të lirë mund të çojë në mendimin e ndaluar. Nga kjo del se atmosfera e totalitarizmit është vdekjeprurëse për çfarëdo shkrimtari prozator, teksa poeti lirik ka gjasa që edhe mund të frymojë në këtë atmosferë. Për më tepër, në çfarëdo shoqërie totalitare, që ka arritur të mbijetojë më tepër se dy gjenerata, ka gjasa që letërsia në prozë – e atij lloji që ekziston këto katërqind vjetët e fundit – faktikisht do të pushojë së ekzistuari.
Ndonjëherë edhe ka ndodhur që letërsia të ketë lulëzuar nën regjimet despotike, mirëpo, siç është theksuar shpesh, jo të gjitha despotizmat janë totalitare. Aparati represiv i tyre nuk ishte gjithnjë efikas, kastat e tyre sunduese zakonisht ishin ose të korruptuara, ose apatike, apo kishin pikëpamje gjysmëliberale dhe doktrinat religjioze, që kanë qenë në fuqi, zakonisht kanë vepruar kundër perfeksionizmit e nocionit për pagabueshmërinë njerëzore.
Mirëpo, edhe përkundër kësaj, është mëse e vërtetë se letërsia në prozë ka arritur shkallën më të lartë pikërisht në periudhat demokratike dhe ato të mendimit të lirë. Ajo që është e re te totalitarizmi, është fakti se doktrinat e tij jo vetëm që janë të pakundërshtueshme, por gjithashtu janë edhe të paqëndrueshme. Ato duhet të pranohen me rrezikun e mallkimit, në anën tjetër, ato janë të prirura të ndryshojnë menjëherë.
Për shembull, le të marrim pikëpamjet e ndryshme, të cilat nuk puqen aspak me njëra-tjetrën, që një komunist anglez ose një “simpatizues” është dashur t’i pranojë në lidhje me luftën mes Britanisë dhe Gjermanisë. Me vite të tëra, para shtatorit 1939, i duhej që tërë atë që shkruante, ta kthente në denoncim kundër Hitlerit; pastaj dymbëdhjetë muaj rresht pas shtatorit 1939, i duhej të besonte se ndaj Gjermanisë më tepër është mëkatnuar, sesa vetë ajo ka bërë mëkate, ndërsa fjalën “nazist” iu desh ta hiqte nga fjalori, së paku në shkrimet që do t’i botonte në shtyp. Menjëherë pas lajmeve të orës tetë në mëngjesin e 2 shtatorit 1941, atij iu desh përsëri të besojë se nazizmi ishte e keqja më e frikshme, që bota ka parë ndonjëherë.
Për politikanin nuk është dhe aq e vështirë të bëjë këso kthesash, por rasti i shkrimtarit është pak më ndryshe. Nëse atij i duhet t’i ndryshojë besnikëritë e tij në momente të caktuara, ai ose do të gënjejë për ndjenjat e tij subjektive, ose do t’i shtypë fare ato. Sido që të jetë rasti, ai e ka shkatërruar dinamon e tij. Jo vetëm që idetë do t’i refuzojnë t’i ndërmenden, por cilado fjalë që do të përdorë, do të ngrijë nga e prekura e tij.
Për të shkruar me një gjuhë të qartë e të fuqishme, njeriut i duhet të mendojë lirshëm, pa frikë; e njeriu që mendon pa frikë, nuk mund të jetë politikisht ortodoks. Ndryshe mund të ndodhë vetëm në rast të ndonjë “kohe të besimit”, kur ortodoksia mbizotëruese vendoset për një kohë të gjatë e nuk merret seriozisht. Në atë rast, mund të ndodhë që hapësira të mëdha të mendjes së njeriut të mos ndikohen nga ajo, që zyrtarisht besohet. Përkundër kësaj, vlen të përmendim se letërsia në prozë gati sa s’u zhduk gjatë kohës së vetme të besimit, që Europa ka përjetuar. Gjatë tërë kohës së Mesjetës, thuajse nuk pati asnjë shkrimtar imagjinativ të letërsisë në prozë dhe pati shumë pak të atillë në planin e shkrimit historik; udhëheqësit intelektualë të shoqërisë i shprehnin mendimet e tyre themelore me një gjuhë të vdekur, e cila ndryshoi fare pak gjatë një mijë vjetëve.
Mirëpo totalitarizmi më tepër premton një kohë skizofrenie, sesa një kohë besimi. Shoqëria bëhet totalitare atëherë, kur strukturat e saj bëhen sheshazi artificiale. Me fjalë të tjera, kur klasa sunduese ka humbur funksionin e saj, por ia arrin që të mbahet në pushtet me forcë e mashtrim.
Pa marrë parasysh për sa kohë i shkon për dore të mbahet në pushtet, një shoqëri e tillë nuk mund të bëhet qoftë tolerante, qoftë e qëndrueshme intelektualisht. Kjo shoqëri nuk guxon kurrë të lejojë regjistrimin e fakteve, ose të lejojë sinqeritetin emocional që e kërkon krijimi letrar. Nuk është e thënë që vetëm ai, i cili jeton në një shtet totalitar, të jetë i infektuar nga totalitarizmi. Vetë mbizotërimi i këtyre ideve mund të përhapë njëfarë helmi, që i bën temat njërën pas tjetrës të pamundshme për qëllime letrare. Kurdoherë që ekziston një ortodoksizëm i imponuar, ose siç ndodh zakonisht, dy ortodoksizma të imponuara, shkrimi i mirë pushon së qeni. Ekzistojnë një sërë arsyesh, të cilat puqen dhe dëshmojnë se përse për poetin është pakëz më e lehtë, në krahasim me prozatorin, që ta ndiejë veten disi më të lirë në një shoqëri autoritative. Në radhë të parë, burokratët dhe njerëzit e tjerë “praktikë”, zakonisht e përbuzin poetin aq shumë, sa kjo mjjafton t’i pengojë që të jenë të interesuar për çfarë thotë ai. Pastaj, ajo çfarë thotë poeti, me fjalë të tjera, nëse poezia e tij përkthehet në prozë, “kuptimi” është relativisht i parëndësishëm edhe për vetë poetin.
Prandaj, poeti e ka më të lehtë t’u ikë temave të rrezikshme dhe t’i shmnaget mundësisë që të thotë herezì: madje, kur thotë herezì, ato mund të mos vërehen. Edhe në ato shoqëri, ku liria dhe individualiteti janë zhdukur, do të mbetet nevoja për këngë patriotike e balada heroike që do të madhërojnë fitoret, do të mbetet nevoja për të stërholluar të ushtruarit e lajkatimeve: këto janë llojet e poezisë, që mund të shkruhen sipas porosisë ose të shoqërohen bashkërisht, pa e humbur doemos vlerën artistike. Proza është diçka tjetër, meqë shkrimtari i prozës nuk mund të shkurtojë diapazonin e mendimit të tij, pa e pasë vrarë invencionin e vet.
Mirëpo, historia e shoqërive totalitare apo historia e grupeve, që kanë adoptuar pikëpamjet totalitare, na mëson se humbja e lirisë është e dëmshme për të gjitha format e letërsisë.
Shkatërrimi i lirisë intelektuale e sakaton gazetarin, shkrimtarin sociolog, historianin, romancierin, kritikun dhe poetin sipas kësaj radhitjeje. Letërsia është e dënuar me vdekje, nëse zhduket liria e mendimit. Jo vetëm e pëson këtë fat në cilindo shtet, që ruan strukturën totalitare, por edhe çdo shkrimtar që pranon pikëpamjet totalitare, që arsyeton persekutimet e falsifikimet e realitetit, e shkatërron vetveten si shkrimtar.
Nga kjo nuk ka rrugëdalje. Asnjë fjalim kundër “individualizmit” dhe “kullës së fildishtë”, asnjë devotshmëri banale për konceptin se “individualiteti i vërtetë arrihet vetëm nëpërmjet identifikimit me bashkësinë”, nuk mund të fshehë faktin se mendja e shitur është mendje e prishur.