‘Menduam se po na rrëmbejnë banditët’, personi që ishte me Ilir Metën tregon si ndodhi arrestimi
Sekretari organizativ i Partisë së Lirisë, Artemis Peca, ishte personi i cili ndodhej së bashku me Ilir Metën në makinë në momentin kur ky i fundit është arrestuar me urdhër të SPAK-ut.
Peca, i cili ishte shoferi i mjetit ku ndodhej presidenti i Partisë së Lirisë, ka treguar se çfarë ka ndodhur në momentin kur makina e tyre u ndalua nga oficerët civilë të BKH.
“Pashë një postbllok, ula shpejtësinë. Më pas pashë një makinë që po na afrohej dhe pastaj na rrethuan tre makina. Dolën ca banditë me maska, me armë, na hapën dyert në mënyrë çnjerëzore dhe na thanë ‘hajdeni me ne’. U thamë ‘kush jeni, na tregoni mandatin’, në fillim u trembëm, thash po na rrëmbejnë. Pastaj pashë një makinë policie, dhe aty kuptuam që ishte policia e Dumanit dhe Ramës”, ka treguar ai në një konferencë për mediet.