Menduh Thaçi: Ëndrra ime është që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka thënë se ëndrra e tij është që shqiptarët të jetojnë në një shtet të vetëm, por kjo mbetet vetëm në suazën e ëndrrave.
Këto komente, Thaçi i ka bërë në një intervistë për televizionin “A”, të premten, derisa shpjegoi se çfarë pasoja mund të sjellë nëse kjo do të bëhej pjesë e diskursit politik për shqiptarët në përgjithësi, e Kosovën në veçanti.
“Ëndrra ime e jetës është që të gjithë shqiptarët me jetu me një shtet. Por kjo është në kuadër të ëndrrave. Kjo, po u bë pjesë e aktualitetit politik, pasojat mund të jenë shumë të mëdha për ne si komb, e sidomos për Kosovën që është një shtet i ri, që është në momente të rëndësishme të rrumbullakësimit të shtetësisë”, tha Thaçi.
“E lus opinionin e Kosovës të kenë mirëkuptim kur flas kështu. Ata që mi keqinterpretojnë deklarata, mi nxjerrin se flas kundër Kosovës, përkundrazi. E kam thënë tri ditë para zgjedhjeve, asnjë shqetësim nuk kam për rezultatin e zgjedhjeve [presidenciale]. Ndërhyrjet e Kosovës në zgjedhjet e Maqedonisë kanë pasoja vetëm për Kosovën”, shtoi.