Menduh Thaçi rizgjedhet kryetar i PDSH-së
Menduh Thaçi është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, në kongresin e shtatë të kësaj partie, i cili u mbajt sot në Tetovë.
Ai para të pranishmëve theksoi se PDSH-ja në periudhën që vijon do të angazhohet që të implementohet Marrëveshja për emrin me Greqinë, që, siç tha, është kusht themelor për Maqedoninë që të intensifikohet në integrimet euroatlantike.
“Marrëveshja me Greqinë është shumë e rëndësishme për shqiptarët, sepse ne jemi për NATO dhe BE. Tani në Maqedoni shumë njerëz thonë dhe mendojnë se marrëveshja nuk do të kalojë. Unë vetëm mund t’i porosis të jenë të qetë, sepse kjo Marrëveshje do të kalojë duke marrë parasysh faktin se ajo është investim më i madh kapital i shtetit, ndërsa ne jemi në kufi të ekzistencës dhe vetëm me të gjegjësisht për hyrje në BE dhe në NATO mund të mbijetojmë”, tha Thaçi.
Ai konsideron se shqiptarët ende nuk i kanë realizuar të drejtat themelore, para së gjithash në kuptimin ekonomik, që sipas tij, vendimet në shtet nuk merren në mënyrë konsensuale, nuk ka shpërndarje të barabartë të buxhetit, ndërsa komunat janë decentralizuar në kuptim politik, e jo në atë fiskal.
Gjatë kongresit të shtatë është zgjedhur kryesia e re e partisë. Janë zgjedhur pesë nënkryetarë të rinj. Imer Aliu është zgjedhur sekretar i ri i përgjithshëm i partisë, ndërsa Iljaz Halimi kryetar i Kuvendit Qendror.