Menduh Thaçi tregon arsyet e dështimit të referendumit në Maqedoni
Menduh Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, ka treguar arsyet e dështimit të Referendumit në Maqedoni, që u mabjtë të dielën.
“Që në fillim i kam thënë kryeministrit Zoran Zaev se Referendumi nuk është ide e mirë dhe se do të dështojë. Secili lider dhe secila etni do ta mbajë përgjegjësi për dështimin. Tek shqiptarët situata ka qenë më pozitive derisa te maqedonasit çështja ka qenë e luhatshme dhe është ditur që ky Referendum do të dështojë”, ka thënë Thaçi në “Zonën e Debatit” në “Klan Kosova”.
Ai ka shtuar se Maqedonia është vend që ka probleme të madha me listat zgjedhore,
“Në muajin qershor kam qenë në Bruksel, ju ka thënë haptazi se duhet të jemi të gatshëm se Referendumi mund të dështojë. Ata që ishin kundër Referendumit aplikuan bojkot. Maqedonia është vend që ka probleme të madha me listat zgjedhore, ato janë të mbingarkuara sidomos me etninë maqedonase, që numri i tyre të mbetët më i madh. Pjesa më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni janë jashtë, punojnë atje, megjithatë tek shqiptarët referendumi ishte i suksesshëm. Shqiptarët janë të bindur që rruga e tyre është drejt NATO-s dhe BE”, ka shtuar ai.