“Mëngjesin e 17 Majit, Kosova në KiE”, Vuçiç sfidon Amerikën: Unë rri dhe pi me Dodikun e sanksionuar
Topin e mbajti në ajër disa herë, por “lojën” e humbi. Jo atë të futbollit, por atë diplomatike. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ngre flamurin e bardhë dhe pranon se mëngjesin e 17 majit, Kosova do të jetë anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës.
Ai vazhdoi sulmet ndaj ndërkombëtarëve, duke pretenduar se Gjermania po bën një fushatë brutale për ta mbyllur me sukses këtë proces në Strasburg.
“Ata do të kenë nga 29 deri në 33 vota dhe u duhet një shumicë prej 31 votash për pranimin e Kosovës, kështu që çdo gjë është në avantazhin e tyre. Deri më 17 maj nuk do të jem gjallë, më pas do të shohim.”
Ai përmendi edhe 13 majin si një datë të vështirë për serbët, pasi pritet që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të miratojë rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. Vuçiç sinjalizoi se nuk do të pranojë zgjidhjen e propozuar nga Bashkimi Europian për çështjen e dinarit serb në Kosovë, duke thënë se do të financojë udhëtimet e serbëve në pikat kufitare për të tërhequr paratë e dërguara nga Beogradi.