Mentorët e UEFA-s të kënaqur me zhvillimin dhe masovizimin e futbollit në Kosovë
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është vizituar nga dy mentorët e shquar të UEFA-s, Stuart Grieve dhe Vladimir Luptak.
Ata kanë qëndruar në Kosovë për të vlerësuar dhe ndihmuar zhvillimin e departamentit “Grassroots” në kuadër të FFK-së. Ky departament ka një rol kyç në rritjen dhe zhvillimin e futbollit në vend, me synim masovizimin dhe ofrimin e mundësisë për të gjithë të rinjtë që të përfshihen në lojën e futbollit në të gjitha kategoritë.
Në “workshop”-in e organizuar me departamentet e tjera që janë të ndërlidhura apo ndihmojnë në projektet e departamentit “Grassroots”, mentorët e UEFA-s kanë bërë një vlerësim të hollësishëm të gjendjes dhe aktiviteteve të këtij programi.
Ata janë shprehur mjaft të kënaqur me progresin e shpejtë të FFK-së që nga pranimi në UEFA dhe FIFA, duke vlerësuar veçanërisht përkushtimin për masovizimin e futbollit përmes “Grassroots”.
Në kuadër të vizitës së tyre, Stuart Grieve dhe Vladimir Luptak, përveç takimeve në FFK, kanë vizituar edhe “KF Rilindja” në kryeqytet.
“Ata morën informacione mbi funksionimin e klubit, sfidat me të cilat ballafaqohet dhe sukseset e arritura. Gjithashtu, ata panë nga afër edhe zhvillimin e ‘Kinder Ligës’ në Suharekë, një aktivitet ky i dedikuar për fëmijët deri në moshën 10 vjeç. Ata vlerësuan përkushtimin e lartë të fëmijëve ndaj lojës së futbollit dhe për mënyrën se si ‘Grassroots’ ndihmon në rritjen e tyre. Po ashtu, lavdëruan edhe gjyqtarët e angazhuar në këtë aktivitet, të cilët përkundër moshës së re shfaqën vetëbesim dhe qëndrim në ndarjen e drejtësisë. Në përfundim të vizitës, dy mentorët e UEFA-s ndanë vlerësime, këshilla, ide dhe informacione në takimin e përbashkët me ushtruesin e detyrës së sekretarit të përgjithshëm, Markus Weidner dhe menaxheren e ‘Grassroots’, Albina Rrahmani. Ata siguruan se do të vazhdojnë të japin mbështetje të fortë në zhvillim të futbollit në Kosovë, teksa vizita e tyre dëshmon përkushtimin e UEFA-s në projektet Grassroots dhe përparimin e mëtejmë të futbollit në vendin tonë”, ka njoftuar FFK-ja.