Mercedes-i largohet nga tregu i Rusisë
Mercedes është bërë kompania e fundit perëndimore që është larguar nga tregu i Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Kompania me bazë në Gjermani ka ndalur prodhimin dhe eksportimin e produkteve të saj në Rusi, prej fillimit të muajit mars.
Mirëpo tani ajo do të largohet krejtësisht nga tregu rus dhe do t’ua shesë aksionet investitorëve lokalë.
Kompania japoneze, Nissan është larguar nga Rusia më herët gjatë këtij muaji, dhe njëjtë kanë vepruar edhe kompanitë tjera që prodhojnë makina, Toyota dhe Renault.
Nissan ka pësuar humbje prej 700 milionë dollarëve pasi e ka shitur biznesin te një entitet shtetëror për një shumë simbolike.
Mirëpo, Harald Wilhelm, zyrtar financiar në Mercedes, ka thënë se largimi prej Rusisë, nuk pritet të ketë ndikim të madh në fitimet e kompanisë.
Asociacioni i Bizneseve Evropiane ka thënë se 9.558 makina Mercedes janë shitur në Rusi prej muajit janar deri në shtator, çka përbën rënie prej 72.8 për qind, në krahasim me vitin e kaluar.
Vendimi për largim, vjen pasi shumë kompani perëndimore janë larguar nga Rusia ma herët gjatë këtij viti, përfshirë, Starbucks, McDonald’s dhe Coca-Cola.
Edhe kompanitë tjera për prodhim të makinave, përfshirë: Jaguar Land Rover, General Motors, Aston Martin dhe Rolls-Royce, kanë ndalur të gjitha operacionet në Rusi, pak pas nisjes së luftës.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL