Mercedesi sfidë Ferrarit në Brazil: Nuk do t’ua falim atë pozicion, për ne ka rëndësi
Te Mercedes përgatiten për një betejë të ashpër me Ferrari në tri garat e mbetura, teksa synojnë të mbrojnë vendin e dytë në renditjen pr konstruktorë. Në garën e fundit në Meksikë, makina gjermane ruajti avantazhin prej 22 pikësh ndaj “kokëkuqes”, teksa të dyja skuadrat dolën nga ajo garë me nga 27 pikë secila.
Toto Wolff, drejtori sportiv i Mercedes, në prag të garës së Brazilit, këtë fundjavë në pistën e Interlagos, ka thënë: “U larguam nga Meksika me një vend të dytë të Hamilton, që na dha mundësi të ruajmë avantazhin prej 22 pikësh ndaj Ferrari. Bëhet fjalë për një sfidë të rëndësishme për ne dhe duam ta fitojmë”.
“Tani përgatitemi për një garë të vështirë, por këtu kemi kujtime të mira, pasi vjet arritëm fitoren e vetme me Russell. Shpresoj që dy pilotët tanë të japin maksimumin edhe në këtë pistë. Do të jetë një fundjavë e gjatë, pasi kemi edhe garën sprint, ndaj duhet të maksimizojmë çdo mundësi që na jepet”, ka shtuar Wolff.
“E dimë që kemi bërë hapa përpara në garat e fundit, ndaj është e rëndësishme që ta ruajmë këtë ritëm. Tifozët janë shumë të apasionuar këtu pas Formula 1, ndaj duam t’u dhurojmë entuziazëm. Jam i sigurt se do të jetë një spektakël si në pistë ashtu dhe jashtë saj”, ka deklaruar Toto Wolff.