Mercedesi zgjedh Antonellin në vend të Hamiltonit
Mungon vetëm zyrtarizimi, por piloti i dytë i Mercedesit për vitin 2025 do të jetë 17-vjeçari italian Kimi Antonelli. Ai do ta zërë vendin e 7 herë kampionit të botës Lewis Hamilton, që ka firmosur për Ferrarin. Antonelli garon për markën Mercedes që kur ishte 11-vjeçar, në kategorinë 60 MiniKart.
Në atë kohë, Kimi Antonelli ishte një emër pothuajse i panjohur. Ishte Toto Wolff ai që zbuloi dhe vendosi ta mbështeste karrierën e këtij italiani shumë të ri, duke menduar pikërisht për ditën kur Lewis Hamiltoni do të largohej Formula 1. Gjërat shkuan pak më ndryshe, sepse Lewisi do të vazhdojë të garojë, por për “kokëkuqen”.
Megjithatë, gjysma tjetër e “profecisë” së Wolff është në prag të realizimit. Në vitin 2025 do të jetë Antonelli ai që do të garojë për makinën gjermane. Ai që do ta marrë trashëgiminë e Hamiltonit dhe do të jetë shoku i ri i skuadrës së George Russellit. Madje debutimi mund të ndodhë që këtë sezon me makinën Williams, në gjysmën e dytë të vitit. I pari që kuptoi se Antonelli kishte diçka të veçantë ishin zbuluesi i talenteve Giovanni Minardi. Edhe pse Antonelli veshi fillimisht ngjyrat e Tony Kart, pranë Akademisë Ferrari, makina nga Maranello nuk lëvizi me një ofertë, ndaj ai u transferua në Energy, ku u vu re nga Wolff. Fati i Kimit ka marrë drejtimin e Mercedesit që në vitin 2018.
Pjesa tjetër është histori. Duket sikur po rishikojmë rrugën e Hamiltonit, i cili në moshën 13-vjeçare u nënshkrua nga McLaren-Mercedes i Ron Dennis. Për më tepër, Antonelli eci përpara, si Verstappen, duke u rritur nën krahun mbrojtës të babait të tij Marco, ish-pilot për Peugeot, BMW dhe Alfa Romeo në Superturismo.