Mërgim Berisha synon me shumë minuta në Kombëtaren e Gjermanisë
Mërgim Berisha e realizoi ëndrrën e tij më të madhe së fundmi për të luajtur për Kombëtaren gjermane.
Futbollisti kosovar u ftua nga selektori Hansi Flick për miqësoren e marsit ndaj Perusë dhe u inkuadrua në lojë në 15 minutat e fundit.
“Ëndrra ime u bë realitet”, kishte thënë 24 vjeçari pasi luajti me Kombëtaren A të Gjermanisë, ndërsa më atë U-21 i kishte mbi 10 paraqitje në të kaluarën, shkruan mediumi gjerman “Donau Kurier”.
“Unë ndihesha mjaft mirë”, shtoi tutje futbollisti i Fenerbahçes, i huazuar në Augsburg pasi u inkuadrua në lojë në minutën e 75-të.
Gjermania do ta zhvillojë sonte një ndeshje miqësore në Koln me Belgjikën dhe futbollisti kosovar, i lindur në Berchtesgaden, shpreson të ketë më shumë minuta në këmbët e tij.
Sidoqoftë, ai e ka një falënderim special për trajnerin Flick, i cili ia dha rastin duke e ftuar për miqësoret e marsit.
“I jam mirënjohës selektorit që ma dha mundësinë e mirë të luaja kundër Perusë. Tash, më takon mua të vazhdoj të punoj dhe të fitoj më shumë minuta në Kombëtare”, u shpreh ndër të tjera Berisha.
Berisha është duke shkëlqyer në këtë sezon në Bundesligë ku i ka realizuar 8 gola në 19 ndeshje me Augsburgun, përfshirë këtu edhe ato vendimtare në fitoret 1:0 ndaj Borussia Monchengladbach, Bayer Leverkusen e FC Bayern.
Ai shpreson të qëndrojë në klubin gjerman, edhe pse ka kontratë me Fenerbahçen deri në qershor të vitit 2025. Ish-futbollistin e Red Bull Salzburgut po e priste që një kohë edhe Federata e Futbollit të Kosovës, por ai e zgjodhi Gjermaninë para Kosovës.