Mergim Lushtaku merr konfirmimin e Emirateve në përkrahjen e Kosovës për anëtarësim në Interpol
Deputeti i PDK-së Mergim Lushtaku është takuar me shefin e Misionit të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Mal të Zi dhe që mbulon edhe Kosovën, Abdulsalam Hareb Obaid Al Romaithi, me të cilin ka folur për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
Obaid Al Romaithi ka shprehur përkrahjen e vendit të tij për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, këtë muaj.
Lushtaku i cili drejton Grupin e Miqësisë Kosovë-EBA thotë se nga nikoqiri ka kërkuar edhe sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë.
Shkrimi i plotë i Lushtakut në “Facebook”:
Sot zhvillova një takim me Abdulsalam Hareb Obaid Al Romaithi, shef i Misionit të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Mal të Zi dhe që mbulon edhe Kosovën.
Si Kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-EBA në kuadër të Kuvendit të Kosovës, me Ambasadorin e zhvilluam një takim të ngrohtë e të këndshëm njoftues, ku biseduam për miqesinë e dy shteteve dhe mbështetjen e EBA-së që ka bërë për Kosovën, para, gjatë dhe pas luftës, me ç’rast përmes tij e falënderova popullin e Emirateve, duke i kërkuar mbështetje edhe më tej.
Ambasadorit i kërkova mbështetje të mëtejme për lobim për njohje të reja të shtetit të Kosovës dhe anëtarësime në organizata ndërkombetare, sidomos tani në Interpol, pasi që nga 18 deri 21 nëntor në Dubai do të mblidhet Asambleja e 87-të e Përgjithshme e INTERPOL-it. Si nikoqir, EBA-të mund të luajnë rolin e pazëvendësueshëm për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare të sigurisë.
EBA-ja duke qenë model i shteteve për zhvillim ekonomik dhe biznisbërje ndërkombëtare, me ambasadorin diskutuam edhe për mundesinë e investimeve të EBA-së në Kosovë, pasi që vendi ynë ka shumë burime naturore dhe njerëzore për zhvillimin e bizneseve, e informova ambasadorin al Romaithi.