Mërgimtarët harxhuan mbi 1.48 miliard euro në Kosovë gjatë vitit 2022

10 janar 2023 | 10:46

Një numër i madh i mërgimtarëve kanë vizituar Kosovën gjatë vitit që lamë pas. Numri i përgjithshëm i bashkatdhetarëve që kanë vizituar vendin gjatë vitit 2022, është 2 milionë e 274 mijë apo mbi 220 mijë më shumë se në vitin 2021.

Megjithatë, numri i bashkatdhetarëve që kanë ardhur për festa të fundvitit, është më i ulët për mbi 160 mijë, krahasuar me dhjetorin e vitit 2021.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka thënë për “Kosovapress” se barrikadat rrugore në Serbi dhe inflacioni, mund të kenë ndikuar në rënien e numrit të bashkatdhetarëve për këtë fundvit.

Ndërkohë, përveç remitencave gjatë vitit 2022, sipas raportit të BQK-së, bashkatdhetarët kanë shpenzuar mbi 1.48 miliard euro gjatë vizitave në Kosovë.

“Deri në nëntor të vitit 2022, kemi pasur diku rreth 1.1 miliard euro dhe besoj se shumë shpejt edhe Banka Qendrore e Kosovës, do të del me statistikat finale për vitin 2022. Mirëpo, shohim jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin se është një rritje e remitancave që ndodhë gradualisht”, ka thënë ajo.

Zëvendësministrja Gashi ka thënë se prioritet për qeverinë mbetet edhe diplomacia ekonomike për promovim dhe nxitje të investimeve të huaja në Kosovë.

Ajo ka bërë me dije se gjatë vitit 2023 pritet të emërohen rreth 10 atashe ekonomikë.

“Presim që në vitin e parë të kemi rreth 10 atashe ekonomikë të specializuar në kuadër të rrugëtimit, misioneve tona diplomatike, shto kësaj edhe 42 diplomatë të ngarkuar me punë në kuadër të misioneve që kanë portofolion e diplomacisë ekonomike. Këtu do të jemi më ‘agresiv’ në vitin 2023, sa i përket prezantimit të këtij potenciali përmes forumeve, marrëveshjeve të bashkëpunimit bilaterale për tregti. Në disa shtete, taksimi i dyfishtë është ende në marrëveshje në proces, ne përveç që duhet ta bëjmë këtë pjesën e fasilitimit të kontakteve, duhet vazhdimisht avokim për ato vende siç është rasti i Çekisë, që është ende në parlamentin çek, e që duhet lëvizur tutje, kështu që në këtë drejtim ka ende hapësirë për t’u përmirësuar”, ka thënë Gashi.

Përkundër që nuk ka folur për numrin e migrimit gjatë vitit 2022, Gashi ka thënë se ky fenomen mbetet sfidë jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet e rajonit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi rumun, Cluj, e ka prezantuar futbollistin shqiptar Ermal Krasniqin…