Mërgimtarët kthehen për dasma, pushime në atdhe për të lidhur kurorë
Përveç pushimeve, mërgimtarët kthehen në atdhe edhe për dasma. Gushti është plot me dasma të tilla. Për të mbledhur të afërmit dhe për të ndjekur traditën, ata vijnë në qytetet dhe fshatrat e lindjes.
“Ëndrra për mua që jetoj jashtë shtetit ishte që dasmën time ta bëja në Shqipëri”, ka thënë dhëndri.
“Shumë emocione, s’kam fjalë”, është shprehur e emocionuar nusja.
“Top Channel” ka treguar disa ditë më parë se numri i dasmave është në rritje. 11 827 martesa janë lidhur ndërmjet shqiptarëve deri në fund të korrikut të vitit 2018, ku pjesa më e madhe prej tyre janë mërgimtarë.
Ndërkohë, sot “TCh”-ja është ftuar në dasmën e një çifti shqiptar që jeton në Itali për t’ju treguar atmosferën e një dasme të tillë”.
Pavarësisht se çifti, Taulanti dhe Senada, nuk jeton në Shqipëri, stili i dasmës nuk reflekton kulturën e vendit ku ata jetojnë, Italisë. Një nga motivet e rikthimit të tyre në atdhe për të lidhur kurorë, është ruajtja e traditës. Si dhe takimi me fisin, ku të shumtit në dasmën e tyre janë po emigrant.
“Jemi refugjatë, ne sakrifikojmë për këto pushime të shikojmë njerëzit e dashur, e për të ardhur në gëzime”, ka thënë një i ftuar.
“Vij nga Greqia, kam ardhur posaçarësisht për dasmën. Ne të Kavajës, atë që kemi në shpirt e hedhim. Qejfi pa lekë nuk bëhet”, është shprehur një tjetër i ftuar.
“Për dasmat njerëzit presin kur është koha e emigrantëve. Dasmat duan lekë!”, ka thënë një i ftuar.
“Unë jam nga Kavaja, jetoj në Itali dhe kemi ardhur për dasmën, të ftuar nga kushërinjtë e mi”, ka thënë një tjetër i ftuar.