Mërgimtarët tanë të suksesshëm, ambasadorë për thithje të investimeve të huaja
Kandidati për kryetar të komunës së Podujevës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri edhe sot ka vazhduar takimet me qytetar të shumtë llapjan. Ai sot ka takuar mërgimtarin, Lutfi Muratin të cilin e ka njoftuar me programim e tij qeverisës si dhe pikat kuqe për diasporën.
“Njerëz të zotë të diasporës si Luta dhe të tjerët do të jenë njerëzit të cilët do ta kenë derën e hapur në Komunë, për të ndihmuar, jo vetëm në investime, por edhe njohuritë që i kanë për jetën”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e tij në “Facebook”.
Postimi i plotë i Tahirit:
Sot pata kënaqësinë që së bashku me Lutfi Muratin, një llapjan që në vitet e 90-ta ka emigruar në Zvicër, i cili tashmë është shembull i suksesit në ndërmarrjen e tij në sektorin e ndërtimtarisë, bashkë me të ecim nëpër Podujevë, për të diskutuar dhe për të parë gjendjen aktuale dhe nevojën për ndryshim.
Njerëz të zotë të diasporës si Luta dhe të tjerët do të jenë njerëzit të cilët do ta kenë derën e hapur në Komunë, për të ndihmuar, jo vetëm në investime, por edhe njohuritë që i kanë për jetën.
Platforma zhvillimore Podujeva 2025, diasporën, qoftë në aspektin politik apo ekonomik, e konsideron si pjesë integrale të shoqërisë dhe vendit tonë. Pra, diaspora dhe investimet e tyre do të jenë shtylla e ndryshimit, ku në programin tonë parashohim:
- Ndërtimin e një mekanizmi koordinues për investimet e diasporës (Zyrë e veçantë për koordinim me diasporën;
- Përkrahje, subvencionim dhe partneritet publiko privat në investimet strategjike;
- Ndërtimin e një agjende dhe planit të përbashkët të veprimit për zhvillim ekonomik me përfshirjen e diasporës;
- Inkurajimin për të investuar, duke parë diasporën si investitor i parë potencial, të cilët mund t’iu dërgojnë sinjale investitorëve tjerë të huaj;
- Hartimin e platformave dhe programe konkrete për inkuadrimin e diasporës në zhvillim ekonomik të Komunës sonë;
- Të formohet zonë e veçantë ekonomike për investimet e mërgimtarëve tanë.
- Investitorëve nga diaspora do t’u organizojmë vizita në terren tek kompanitë prodhuese me qëllim që t’u ndihmojmë në krijimin e rrjetëzimit ndërmjet bizneseve nga diaspora dhe atyre nga Komuna jonë. Mërgimtarët tanë të suksesshëm me bizneset e tyre, mund të luajnë rolin e ambasadorit për thithjen e investimeve të huaja.