Mërgimtari Hasim Mazreku ndihmon QKMF-në ‘Shpëtim Robaj’
Mërgimtari Hasim Mazreku nga Komuna e Malishevës, i cili punon në Bremen të Gjermanisë, njihet si humanistë i madh. Kësaj radhe, sikur edhe më parë, ai ka ndihmuar shumë institucione sportive e klube të futbollit, me topa e ndërresa si dhe mjetet tjera si dhe ka sjellë karroca për nevojat e personave me nevojat të veçanta, ndërsa të hënën ka ndihmuar me paterica Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Shpëtim Robaj” në Malishevë.
Këtë donacion e ka pranuar drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Liridon Hoti dhe drejtori i QKMF-së, Nuhi Moria.
Hoti dhe Morina kanë falënderuar donatorin Hasim Mazreku, për ndihmat në vazhdimësi dhe përkujdesjen për nevojat e QKMF-së.
“Kjo ndihmë me këto mjete do t’u shërbej qytetarëve të cilët do ta kanë nevojën e përdorimit të tyre, si dhe për institucionin kjo ndihmë është mese e duhur, në kohë të duhur, prandaj po dëshmohet se mërgimtarët tanë, kur është në pyetje vendlindja dhe qytetarët e institucionet e saja, gjithherë e kanë ndihmuar dhe do ta ndihmojnë edhe në të ardhmen”, ka njoftuar Komuna e Malishevës.
Sipas këtij njoftimi, Hasim Mazreku, ka thënë se do të angazhohet në vazhdimësi që ta ndihmojë edhe më tutje Komunën e Malishevës. “Do të organizohem edhe më shumë në mërgim dhe do t’i dalim në ndihmë, Malishevës dhe qytetarëve tanë, në shumë kërkesa të tyre”, ka thënë Mazreku.