Mërgimtari nga Gjilani deklaron rrejshëm në polici se gjatë rrugës nga Sllovenia për në Prishtinë ia vodhën 500 euro
Një person S.B është arrestuar pasi ka bërë kallëzim të rrejshëm duke deklaruar se gjatë udhëtimit nga Lubjana (shteti Slloven) deri në Prishtinë nga katër persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës atij i janë grabitur para të gatshme në vlerë prej 500 euro.
Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit përmes një njoftimi ka bërë të ditur se pas një pune operacionale janë gjetur fakte se i dyshuari gjithë ngjarjen e ka deklaruar rrejshëm.
“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Gjilan me datën 18.07.2023, rreth orës 17:20 ka pranuar ankesë nga ankuesi me inicialet S.B. (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar, goran) se gjatë udhëtimit nga Lubjana (shteti Slloven) deri në Prishtinë nga katër persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës atij i janë grabitur para të gatshme në vlerë prej 500 euro.
Njësiti i hetimeve rajonale të policisë në Gjilan pas një pune mirë të organizuar operacionale dhe veprimeve të shpejta hetimore, ka arrestuar tani të dyshuarin S.B. dhe pas intervistimit të tij në bazë të procedurave ligjore, janë gjetur fakte të qëndrueshme se i lartcekuri gjithë ngjarjen e ka deklaruar rrejshëm”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shteti i cili ka urdhëruar që ndaj të dyshuari të ngritët kallëzim penal për veprën penale “Lajmërim apo kallëzim i rremë” dhe rasti procedohet në prokurorinë themelore.