Meritat për liberalizimin e vizave, Murati ia lë qeverisë Kurti
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha dje se dita e sotme është një ditë e veçantë për Kosovën pasi që u nënshkrua vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave.
Murati u shpreh se kjo ishte diçka që pushtetet e kaluara nuk kishin arritur ta bënin e që u bë në dy vjet qeverisje të qeverisë Kurti.
“Sot ishte një ditë e veçantë me rastin e nënshkrimit të vendimit përfundimtar për liberalizimin e vizave. Diçka që pushtetet e kaluara nuk kishin arritur ta bënin për një dekadë, u bë për dy vite qeverisje!”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ministri, po ashtu, tha se mosbesimi i qytetarëve karshi liberalizimit është i natyrshëm sepse, siç tha ai, kjo është pasojë e mashtrimeve të qeverive të kaluara në emër të vizave.
“Është normale që sot, për shumë qytetarë kjo arritje edhe duket e pabesueshme, dhe ende e shohin me skepticizëm. Sepse me vite të tëra, garda e vjetër premtoi e mashtroi në emër të vizave. Madje u fal edhe tokë në emër të vizave dhe vizat prap nuk erdhën”, ka shkruar Murati.