Merkel e Trump flasin edhe për Ballkanin Perëndimor – nuk bëhen të ditura detajet

27 gusht 2018 | 22:29

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ndajnë shqetësimet rreth zhvillimeve në Siri, veçanërisht situatën humanitare në rajon rreth Idlibit, ka thënë zëdhënësi i Merkel, pasi dy krerët folën me telefon.

“Rusia është thirrur të veprojë në mënyrë të matur ndaj qeverisë siriane dhe të parandalojë një përshkallëzim të mëtejshëm, ka thënë Steffen Seibert në një deklaratë të hënën në mbrëmje, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Seibert, duke mos elaboruar, gjithashtu ka thënë se të dy liderët folën gjithashtu për Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe tregtinë.

Qeveria e presidentit sirian Bashar al-Assad, mbështetur nga Moska, thotë se synon të rimarrë enklavën e mbajtur nga rebelët e Idlibit në Siri veriore, një strehë për civilët dhe rebelët e zhvendosur nga zonat e tjera të Sirisë, si dhe forcat xhihadiste.

Rajoni është goditur nga një valë sulmesh ajrore dhe granatimet këtë muaj në një prelud të mundshëm për një ofensivë të plotë të qeverisë.

Merkel gjithashtu kishte ngritur shqetësime rreth situatës në Idlib gjatë një takimi me presidentin rus Vladimir Putin pak më shumë se një javë më parë.

Ministri i jashtëm turk të premten tha se do të ishte katastrofike të kërkohej një zgjidhje ushtarake në rajon.

Turqia, e cila ka mbështetur disa grupe rebele atje, po përpiqet të shmangë një sulm nga forcat besnike ndaj Assadit.

Ndërkohë, përveç temës së Sirisë, citohet të ketë qenë edhe Ballkani Perëndimor, rajon ku së fundmi është ngritur teza e “shkëmbimit të territoreve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ditë më parë kancelaria gjermane ka theksuar se është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Përkundër kësaj, John Bolton, këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Trump, ka thënë se për SHBA-të “nuk do të ishte problem” shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, nëse do të bëhej me pajtimin e të dy palëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fidel Krasniqi, anëtar i Bordit të Telekomit të Kosovës përmes…