Merkel paralajmëron “javë të vështira” të pandemisë
Gjermania regjistroi 465 vdekje nga Covid-19, gjatë 24 orëve të fundit, tha Instituti për sëmundjet infektive, Robert Koch. Të dielën numri i përgjithshëm i vdekjeve nga koronavirusi, të regjistruara që nga fillimi i pandemisë, kaloi shifrën 40 000. Kancelarja, Angela Merkel, paralajmëroi se javët e ardhshme do të jenë edhe “më të vështira”.
Më shumë se 1.9 milionë njerëz janë infektuar deri më tani në Gjermani. Vetëm të shtunën u raportuan gati 17 000 raste të reja. Në mesazhin e saj të përjavshëm, Merkel tha se “javët e ardhshme do të jenë faza më e vështirë e pandemisë”. Gjermania e kaloi më mirë se shumë vende të tjera evropiane valën e parë të pandemisë në pranverë, por ajo është goditur rëndë nga vala e dytë.
Vendi me 83 milionë banorë ka vendosur masa për të kufizuar kontaktet mes njerëzve dhe për të ndihmuar spitalet të përballojnë një rritje të numrit të pacientëve. Më shumë se 5 000 pacientë me Covid-19 janë aktualisht në kujdes intensiv në të gjithë vendin, me mbi 80 për qind të shtretërve të kujdesit intensiv të zënë.
Gjermania ka mbyllur shkollat dhe dyqanet jo-thelbësore, mjediset e kulturës dhe ato të kohës së lirë deri të paktën më 31 janar me shpresën për të ngadalësuar përhapjen. Ashtu si vendet tjera të BE-së, ajo filloi të vaksinojë qytetarët kundër COVID-19 në fund të dhjetorit me vaksinën Pfizer / BioNTech./rel/